Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal kundër nipërve të Ali Ahmetit, Drin Ahmetit dhe Besian Ahmetit, por edhe personave tjerë, për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të koncesionit për një minierë në afërsi të Kërçovës, raporton Kanal5.
Përveç Drin Ahmetit, i cili është menaxher i kompanisë nga Kërçova nga viti 2017 e deri më tani, në raport për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar” është edhe vëllai i tij Besian Ahmeti, i cili ishte menaxher i kompanisë nga viti 2008 deri në vitin 2017.
“Kallëzim penal ndaj 26 vjeçari D.A. dhe 34 vjeçarit B.A. nga Kërçova, për shkak ekzistimit të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës dhe autoritet zyrtar”, e dënueshme në bazë të nenit 353 nga Kodi Penal”, sqaroi Policia, ndërsa Alsat raportoi që i dyshuari kryesor është Drin Ahmeti, nipi i Ali Ahmetit.
Policia ka ngritur padi edhe ndaj 54 vjeçarit F.Ç. nga Dibra, 61 vjeçarit E.L. nga Tearca e Tetovës, 47 vjeçarit J.K. nga Tetova, 42 vjeçarit A.M. nga Shkupi, sikurse edhe ndaj 51 vjeçarit K.Sh. nga Shkupi, 47 vjeçarit F.A. nga Kumanova dhe 64 vjeçarit F.R. nga Shkupi për punë të pakujdesshme, vepër e dënueshme në bazë të nenit 353-v nga Kodi Penal.
Ata dyshohet se nga viti 2016 kanë përfituar materialisht në kundërshtim me Ligjin për burime minerale dhe Marrëveshjen për koncesion për shfrytëzimin e një lokaliteti në Zajaz. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar ndërmjet subjektit juridik nga Kërçova dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht Ministrisë së Ekonomisë e udhëhequr nga Kreshnik Bekteshi.
Ata nuk kanë shlyer tarifat e detyrueshme ligjore, duke e dëmtuar Buxhetin e Maqedonisë së Veriut në vlerë prej 1 671 894 denarë.
Ka pasur raportime për keqpërdorime edhe ndaj disa punonjësve të Ministrisë së Ekonomisë, të cilët ishin të detyruar të mbikëqyrnin koncesionin.(INA)