Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, sot zhvilloi një takim me udhëheqësit e rinj të Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) në Tetovë: Rijat Alji, kryeshef i SPB Tetovë; Dalibor Stojanovski, zv/shef i SPB Tetovë; Sinisha Jankovski, shef i Departamentit të Policisë së Uniformuar; Muhamed Ademi, Komandant i SP PP Tetovë; dhe Miroslav Dimitrievski, Komandant i SP për Siguri në Komunikacionin Rrugor-Tetovë. Takimi u përqendrua në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për të adresuar sfidat kyçe me të cilat përballet qyteti.

Siç njoftojnë nga kabineti i Kasamit, në takim u diskutuan një sërë çështjesh prioritare, përfshirë rregullimin e trafikut dhe kaosit në qytet, me theks në lirimin e hapësirave të zëna në mënyrë të paligjshme për parkim, eliminimin e parkingjeve të dyfishta dhe ndalimin e parkimeve në vendet ku ka stacione autobusi apo pranë kontenjerëve të mbeturinave.

“Po ashtu, u shqyrtua gjetja e zgjidhjeve për pikat kritike të trafikut, ku shpesh krijohen bllokime dhe vonesa, duke u fokusuar në riorganizimin e bulevardeve dhe rrugëve kryesore. Një tjetër temë e rëndësishme ishte rritja e sigurisë në shkollat fillore dhe të mesme përmes masave shtesë mbikëqyrjeje dhe koordinimi. Për fund, u vendos që të merren masa parandaluese ndaj përdorimit të mjeteve piroteknike, për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për qytetarët në periudhën festive të fundvitit”.

“Kryetari Kasami theksoi rëndësinë e një bashkëpunimi të qëndrueshëm me SPB Tetovë për t’iu përgjigjur nevojave të përditshme të qytetarëve”, thuhet në njoftim.

“Ndryshimet në strukturat udhëheqëse të SPB Tetovë janë një mundësi për një qasje të re, më dinamike dhe më efektive. Ne jemi të përkushtuar që së bashku të adresojmë çdo sfidë dhe të garantojmë rend, siguri dhe mirëqenie për Tetovën tonë,” u shpreh Kasami.