Shkrirja e koalicionit katër partiak VLEN në një parti, do të ndodh pas zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm. VLEN edhe tani funksion mirë dhe i koordinuar si një parti. Kështu deklaroi sot kreu i Lëvizjes Besa Bilall Kasami. Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve lokale do të jetë treguesi më i mirë për fuqinë e partive në fjalë.
“Besoj se kushtet më të përshtatshme për të pasur një organizim apo strukturë të përbashkët politike, do të jetë pas zgjedhjeve lokale, kur edhe do shohim edhe si VLEN por edhe si pjesëmarrës në këtë koalicion se ku jemi dhe si jemi. A kemi potencial të themi të jemi bartës të proceseve të rëndësishme në Maqedoni. Në këtë fazë ka koordinim shumë të mirë të aktiviteteve me disa trupa të përbashkët dhe besojmë që deri në zgjedhjet lokale do arrijmë këtë fazë, sepse, deri në zgjedhje lokale do jetë me rëndësi t’i motivojmë strukturat partiake, mos i shkrijmë dhe ti neutralizojmë por ti aktivizojmë. Në zgjedhjet lokale do kemi një rezultat shumë pozitiv, pas çka do krijohen kushtet madje edhe për një kongres të përbashkët dhe të bëhet homogjenizmi i strukturave të katër partive”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA.
Kasami shtoi se koalicioni VLEN, në këtë përbërje do shkoj edhe në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm dhe nuk do të garojnë veç e veç partitë politike.
“Patjetër që në zgjedhjet lokale do shkohet si VLEN, pra si koalicion por do jemi të hapur edhe për partitë dhe organizata të tjera për të na u bashkuar. por do shkohet si VLEN që më pastaj të shohim edhe mundësinë e shkrirjes në një subjekt”, tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA.
Ndryshe, Koalicioni Vlen muajin e fundit është duke bërë ristrukturime në kuadër të partive, me ç’rast bëhen organizime si të degëve po ashtu edhe të nëndegëve, me qëllim parapërgatitjen për zgjedhjet e ardhshme lokale. /Alsat.mk