Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, duke uruar festën e 28 Nëntorit, mbrëmë në Tetovë, ka bërë thirrje për unitet mes shqiptarëve, për siç ka thënë ai, “ta bërë edhe shtetin e dytë shqiptar Kosovën dhe pas Kosovës, pse jo, edhe Maqedoninë”.
“Të nderuar të pranishëm, të nderuar bashkëudhëtarë të mi Izet, Afrim, të nderuar media. Shumë të respektuar miq të Vetëvendosjes Arbër, Ardita, Bekim. Të nderuar deputet, kryetarë komunash dhe ju të dashur aktivist të LEN. Urime festa e 28 Nëntorit. Nuk ka sesi të jetë ndryshe, vetëm se ashtu siç ka qenë para 111 viteve në Vlorën tonë të dashur, sot këtu në Tetovë të bashkohemi Kosova, Maqedonia dhe Lugina, që ta bëjmë edhe shtetin e dytë shqiptar Kosovën dhe pas Kosovës, pse jo, edhe Maqedoninë. Ndjehem shumë krenar dhe i lumtur që koalicionin shqiptar, i cili do të sjellë ndryshimet e domosdoshme për anëtarësimin e RMV-së në BE, po e nënshkruajmë sot me 28 Nëntor, ditën historike më të madhe në historinë e popullit shqiptar”, tha kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
Këto komente Kasami i bëri në manifestimin e organizuar në Tetovë, ku Lidhja Europiane për Ndryshim ku bëjë pjesë Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike edhe zyrtarisht e kanë nënshkruar deklaratën e bashkëpunimit nën emrin “Lidhja Europiane për Ndryshim”./Gazeta LAJM