Ishte verë dhe vapë e madhe. Nxehtë ishte edhe në politikë. Zgjedhjet në kohë pandemie, mes maskash dhe protokollesh, kishin përfunduar. Ishte koha për ta formuar Qeverinë e re. Siç edhe pritej partneriteti BDI-LSDM do të vazhdonte, edhe pse në fushatë zgjedhore ishin zënë mjaft me njëri-tjetrin.
“BDI shkon në opozitë. Pse jo BDI në opozitë? – thoshte Zoran Zaev në korrik të vitit 2020
“Unë u siguroj se këtë gëzim nuk do ta përjetojnë dhe gëzimi do t’u thahet në buzë më 15 korrik”, deklaroi më 10 korrik 2020 kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Dhe vërtetë në 2020-tën BDI nuk shkoi në opozitë. Pas shumë negociatash, ranë dakord për një mandat tjetër së bashku, duke e plotësuar kërkesën e BDI-së për kryeministër shqiptar, por vetëm në 3 muajt e Qeverisë.
Brenda BDI-së kishte dallime për emrat që propozoheshin për në Qeveri.
“Do votoj për këtë Qeveri me vërejtjet personale që kam ndaj një pjese të ekzekutivit.
Është debat i brendshëm brenda Bashkimit Demokratik për Integrim”, deklaroi më 25 gusht 2020 Izet Mexhiti.
Por edhe krahas pakënaqësive brendapartiake e të degëve, Ahmeti nuk i ndryshoi mendje.
TV21: Emrat a mbeten të njëjtë të përbërjes suaj që e keni paraqitur në opinion?
Ahmeti: Mbeten të njëjtat, nuk ndryshojnë.
Këta ishin ministrat me të cilët Ali Ahmeti do ta plotësonte Qeverinë Zaev 2. Në krye të tyre, Artan Grubi, me një post të padëgjuar deri më atëherë – Zëvendëskryeministër i Parë.
“Unë dje i thash kryeministri Zaev se tashmë jemi një. Jemi një trup kolektiv dhe do të vendosim bashkërisht”, potencoi Artan Grubi – ZV/Kryeministër i parë.
Kjo deklaratë e numrit dy të qeverisë, ndezi edhe më shumë debat brenda integristëve.
TV21: A janë pritje që BDI-ja të bëhen një me LSDM-në?
Blerim Bexheti: “Jo, jo… Kushdo që e ka thënë, ose e ka thënë prej merakut ose e ka thënë prej padijes”.
Fraksioni i të pakënaqurve brenda BDI-së tashmë ishte pagëzuar edhe me një emër.
TV21: Madje ka dhe emër “grupi i zjarrit” është në opinion…
Bexheti: Nuk e di…nuk di…sinqerisht nuk di…
TV21: Po ju qeshet…
Bexheti: Emri më erdhi interesant…
Pas 100 ditëve qeverisje, në fillim të vitit 2021, nga foltorja e Kuvendit, Izet Mexhiti filloi të kërkojë llogari për premtimet e dhëna në zgjedhje. E pazakonshme për përditshmërinë tonë politike, që bashkëpartiaku t’i kërkojë hesap bashkëpartiakut.
“Nuk është mirë që asnjë nga këto premtime në 100 ditëshin e parë nuk është realizuar. Mendoj se duhet të reflektojmë dhe premtimet që japim duhet t’i realizojmë që të dalim ballëhapur para qytetarit tonë”, tha Izet Mexhiti më 30 dhjetor 2020.
Me kritika apo jo, qeverisja vazhdoi. Problemet dhe sfidat ishin të shumta. Fillimisht kriza ekonomike-energjetike si pasojë e pandemisë. Më pas kritikat e shumta për mos përfundimin e rrugës Shkup-Bllacë, riprojektimi i Korridorit 8, zonat industriale të pazhvilluara, mungesa e librave nëpër shkolla. Më pas dy goditjet e tjera që vinin nga hulumtimet gazetareske ishin skandali me spitalin modular dhe Llotaria shtetërore.
Nga ana tjetër, brenda BDI-së, ata që më zëshëm i artikulonin pakënaqësitë ishin Musa Xhaferi, Blerim Bexheti, Nevzat Bejta dhe Izet Mexhiti. Por rruga e tyre u nda. Xhaferi, Bexheti e Bejta mbetën në BDI, ndërsa i vetmi që e vazhdoi rrugën vet, me disa bashkëpartiakë të tjerë, ishte Mexhiti, i cili formoi partinë Lëvizja Demokratike.
“Ne vendosëm që të mos shkojmë në shtëpi por të bëjmë lëvizjen e re politike, lëvizjen e re demokratike”, deklaroi Izet Mexhiti më 18 korrik 2023.
Po BDI-së nuk i shkuan punët ters vetëm brenda partisë. Hapi front edhe me partitë e tjera, ato dy më të mëdhatë maqedonase, partnerin e 7 viteve të fundit LSDM, dhe ish-partnerin e saj VMRO-DPMNE,.
Në vitet e fundit “zënka” me VMRO-në ishte më e theksuar, kuptohet si dy parti pushtet-opozitë, por së fundmi kishin nisur të nxeheshin punët edhe me LSDM-në. Socialdemokratët, për shkak të kompromiseve për ta ruajtur shumicën, kishin lëshuar shumë dikastere, duke e bërë BDI-në të dukej prijëse e Qeverisë, akuzë që LSDM-ja e merrte çdo ditë nga DPMNE-ja, e cila Qeverinë e quajte “të BDI-së”.
“Ishin rezultat i sjelljes së individëve të partnerit tonë të atëhershëm koalicionues BDI dhe reagimi joadekuat nga ana jonë, që na duhet të pranojmë si dobësi, në fakt kontribuuan që të krijohet mendimi i këtillë se nuk e kontrollojmë koalicionin”, u shpreh Sllavjanka Petrovska – kandidate për kryetaretë LSDM.
BDI si udhëheqëse e Frontit Europian del në opozitë pas 16 vitesh në Qeveri të ndryshme, si me VMRO-DPMNE-në po ashtu edhe me LSDM-në.