Organizatat civile në Maqedoni kanë reaguar ashpër pas vrasjes së një 31-vjeçareje në Manastir, duke e cilësuar rastin si një tjetër femicid dhe alarm serioz për sigurinë e grave në vend, përcjell TV21. Në reagimin e tyre, të nënshkruar nga Rrjeti Kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, Platforma për Barazi Gjinore dhe Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi, theksohet se rritja e rasteve të dhunës tregon dështim institucional në parandalim dhe mbrojtje.
Sipas tyre, rasti në Manastir duhet të hetohet në mënyrë të plotë dhe transparente, përfshirë edhe verifikimin nëse ka pasur denoncime të mëparshme për dhunë. Organizatat kërkojnë përgjegjësi për çdo institucion apo zyrtar që nuk ka vepruar sipas ligjit, si dhe forcim urgjent të mekanizmave të mbrojtjes së viktimave.
Në reagim theksohet gjithashtu nevoja për investime në shërbime të specializuara, forcim të kapaciteteve në polici dhe qendra sociale, si dhe programe parandaluese në arsim. Sipas tyre, dhuna po shndërrohet në një “epidemi shoqërore” që kërkon ndërhyrje urgjente shtetërore.

