Ndërsa në opinion po diskutohet paralajmërimi i pushtetit në ardhje për shpërndarjen e Këshillit Gjyqësor, anëtarët e këtij trupi i cili zgjedh gjyqtarë, sot me 9 vota “për” dhe asnjë “kundër”, e miratoi Strategjinë për komunikim 2024-2028 me planin aksional. Me të njëjtën parashikohet ngritje e nivelit të transparencës dhe llogaridhënies së Këshillit Gjyqësor dhe gjykatave.
Strategjia, e cila miratohet pas rekomandimeve të Misionit Vlerësues të BE-së, parashikon që të përmirësojë komunikimin e Këshillit Gjyqësor dhe të gjykatave si brenda tyre, ashtu edhe me qytetarët dhe mediat. Për këtë, parashikohen aktivitete me afate konkrete për zbatimin e tyre.
Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, tha se me këtë strategji vendosen standarde të larta evropiane, ndërkaq shtoi se Këshilli Gjyqësor dhe gjyqtarët duhet të jenë më transparentë.
“Opinioni, patjetër duhet të ketë qasje në informata në kohë dhe të kuptueshme në lidhje me procesin e miratimit të vendimeve në gjykata dhe duhet të ketë besim se procedurat gjyqësore janë të drejta, të ligjshme dhe efektive.
Gjykatësit patjetër duhet të jenë më transparentë me mediat. E njëjta vlen edhe për Këshillin Gjyqësor, pasi vendimet, megjithatë gjykatësit i marrin në emër të qytetarëve dhe puna jonë është në emër të qytetarëve”, deklaroi Vesna Dameva, kryetare e Këshillit Gjyqësor.
Kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi, e cila mori pjesë ne seancën e sotme, tha se duhet vullnet për t’u zbatuar kjo Strategji, e cila para se gjithash do të ndihmojë në mbrojtjen e integritetit të gjyqtarëve dhe parandalimin e ndikimeve të jashtme.
“Ajo që është më e rëndësishme për zbatimin e kësaj strategjie, duhet të ketë motiv, vullnet, pasi transparenca jep një kontribut të madh dhe të pazëvendësueshëm për reputacionin e gjyqësorit dhe në tërësi për perceptimin e përgjithshëm. Duhet gjithmonë të kihet parasysh se komunikimi me opinionin, qytetarët, mediat dhe organizatat qytetare kanë rol të madh për mbrojtjen e integritetit të gjykatësve, por edhe mbrojtjes së gjyqësorit nga ndikimet e jashtme. Për këtë arsye, të gjitha angazhimet për llogaridhënie, janë të bazuara ndaj sundimit të ligjit. Ky është thelbi i strategjisë komunikuese”, tha Besa Ademi, kryetare e Gjykatës Supreme.
Anëtaret e Këshillit Gjyqësor, Tanja Çaçarova Ilievska dhe Antoaneta Dimovska thanë se strategjia nuk duhet të mbetet vetëm në letër por të zbatohet.
“Sinqerisht shpresoj se do të zbatohet me sukses dhe së shpejti do të duken rezultatet nga zbatimi i së njëjtës. Koha do të tregojë se cilat do të jenë përfitimet nga e njëjta”, deklaroi Tanja Çaçaroa Ilievska, anëtare e Këshillit Gjyqësor.
“Jemi dëshmitarë se shumë institucione përgatisin strategji të ndryshme, por në thelb nuk janë shumë reale. Ne u nisëm nga ajo që është realitet, nga ajo që e kemi, me ato kapacitete që disponojmë”, theksoi Antoaneta Dimovska, anëtare e Këshillit Gjyqësor.
Paraprakisht, Këshilli Gjyqësor e ndryshoi rregulloren e punës, me të cilën parashikohej llogaridhënie nga Këshilli dhe anëtarët e saj për vendimet e miratuara në lidhje me zgjedhjen e gjyqtarëve.
Ndryshe, VMRO-DPMNE-ja, e cila së shpejti pritet ta marrë pushtetin, ka premtuar që do t’i shpërndajë Këshillin Gjyqësor dhe atë të Prokurorëve pasi, e kanë humbur kredibilitetit. Kjo, nuk mbështetet nga opozita dhe një pjesë e ekspertëve për shkak të dyshimit se anëtarët aktualë të këshillave, do të zëvendësohen me persona të afërt me pushtetin. /Alsat/