Këshilltari i VLEN-it në Komunën e Butelit, Usein Ramadani, ka paralajmëruar padi private ndaj Darko Kostovskit për atë që i cilëson shpifje dhe etiketime publike.
Në një reagim të publikuar, Ramadani i drejtohet Kostovskit, duke thënë se ai duhet të mendojë për peshën e fjalëve para se ta quajë “kriminel” dhe “bandit”.
Ramadani mohon të ketë pasur vepra penale dhe thotë se emrin e ka ndërtuar “me punë, me ndershmëri, me integritet dhe me respektin e njerëzve”. Ai shton se, sipas tij, ka qenë gjithmonë në shërbim të qytetarëve.
Sipas Ramadanit, një këshilltar që kërkon zbatimin e ligjit, llogaridhënie dhe mbrojtjen e një të drejte që i takon ligjërisht, po kryen detyrën për të cilën është zgjedhur nga qytetarët.
Ai e kundërshton barazimin e kërkesës për të drejtat ligjore me banditizmin dhe thotë se shkelje është të trajtohet pushteti komunal si pronë private ose të veprohet mbi ligjin dhe institucionet.
Ramadani thotë se do të ngrejë padi private për etiketimet publike dhe se Kostovski do të përgjigjet para organeve kompetente. Ai thekson se mund të kundërshtohet politikisht, por se kjo nuk i jep askujt të drejtë ta njollosë si njeri.
“Unë do të vazhdoj të jem në anën e qytetarëve, të drejtës dhe ligjit. Sepse mandati është i përkohshëm, pushteti kalon, por emri dhe dinjiteti i njeriut mbeten!”, përfundon reagimin e tij Ramadani.

