Komediani britanik Romesh Rangathan ka ndarë së fundmi me ndjekësit e tij në TikTok një video nga e kaluara, ku ka treguar një veprim të pazakontë që kishte bërë në trupin e tij – tatuazhin me shqiponjën e cila gjendet në flamurin shqiptar.
Gjatë një interviste të përbashkët me këngëtaren shqiptare me famë botërore, Rita Ora, në emisionin “The Jonathan Ross Show”, Rangathan e kishte bërë publike këtë tatuazh të veçantë. Me një ton humori, ai kishte thënë se ndoshta kishte bërë një gabim.
“Jam penduar”, ishte shprehur Rangathan me shaka, teksa tregonte për vendimin e tij të momentit për të bërë tatuazhin. Ai shpjegoi se gjithçka ndodhi në një bunker gjatë një vizite në Shqipëri. “Ka shumë bunkera në Shqipëri. Në një nga bunkerët që vizitova, ishte një artist që bënte fotografi dhe gjëra të tjera. Ai më tha, ‘Unë bëj gjithashtu tatuazhe, a do të të bëj një?’ dhe unë i thash, ‘Në rregull, le ta bëjmë’”, rrëfeu komediani me buzëqeshje.
Kur Rita Ora kishte parë shqiponjën e zezë të bërë tatuazh në krahun e Rangathan, me entuziazëm kishte reaguar: “O Zot i madh, është pikërisht ajo! Po, është shqiponja jonë, është kaq çmenduri që ti e ke bërë këtë”.
Përveç tregimit për tatuazhin, Rangathan kishte ndarë detaje nga vizita e tij në Shqipëri dhe përvojat e tij me shqiptarët, duke treguar një respekt të madh për kulturën dhe njerëzit e vendit tonë.
Videoja e cila është rishpërndarë së fundmi nga vet komediani në TikTok, është bërë virale dhe duke tërhequr mijëra shikime dhe komente. Tatuazhi i Rangathan ka ngjallur diskutime dhe ka sjellë një buzëqeshje në fytyrat e shumë shqiptarëve, të cilët e panë aktin si një gjest të veçantë dhe të papritur nga komediani i njohur britanik.