Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë të mërkurën se Kuvendi i Kosovës nuk do të shpërndahet, për shkak të mungesës së mbështetjes nga dy partitë e tjera opozitare për këtë.
Partitë opozitare, PDK, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kohë që kërkonin që vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme, por nuk arritën pajtueshmëri për mënyrën se si të bëhej kjo.
“Ju njoftoj se mundësia për shpërndarjen e Kuvendit është ezauruar [shteruar]. Thirrja e PDK-së për shpërndarjen e Kuvendit nuk ka gjetur mbështetje. Jam i habitur nga mosgatishmëria e partive opozitare për ta bërë një gjë të tillë, sepse mosshkuarja në zgjedhje po ia zgjat mandatin pushtetit aktual”, tha Krasniqi të mërkurën në një konferencë për media në Prishtinë.
Mandati i Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, përfundon në fillim të vitit 2025.
Kryeministri Kurti është shprehur i hapur për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme përmes shpërndarjes së Kuvendit, duke thënë se do të ishte mirë që zgjedhjet e reja të mbaheshin në pranverë ose në vjeshtën e këtij viti.
Derisa PDK-ja mbështeti mundësinë e zgjedhjeve të reja përmes shpërndarjes së Kuvendit, LDK-ja dhe AAK-ja kundërshtuan dhe kërkuan që Qeveria e Kurtit të japë dorëheqje, apo të shkarkohet.
“Partia Demokratike ka qenë gjithmonë e gatshme për cilindo variant që mundëson zgjedhje të parakohshme dhe largimin e kësaj qeverie. Edhe për ne, dorëheqja ka qenë mënyra e preferueshme e shkuarjes në zgjedhje, por të gjithë e dimë se si mundësi e vetme reale në tavolinë, ishte përmes shpërndarjes së Kuvendit”, tha Krasniqi.
Më herët të mërkurën, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se ditëve të fundit janë “zvogëluar shanset” për shpërndarjen e Kuvendit.
Krasniqi e kishte takuar Kurtin në fillim të majit për të biseduar për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, por Lumir Abdixhiku i LDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-së, refuzuan.
Abdixhiku dhe Haradinaj kanë argumentuar se Qeveria Kurti duhet të japë dorëheqje për të marrë “përgjegjësi për dështimet e saj”.
Prej se Kosova është bërë shtet i pavarur në vitin 2008, asnjë qeveri e zgjedhur nuk e ka çuar deri në fund mandatin 4-vjeçar.
Qeveria e tanishme e Kurtit mund të bëhet e para që e përfundon mandatin e plotë katërvjeçar, pas mungesës së pajtueshmërisë për zgjedhje të parakohshme./REL