Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) ka publikuar një shkrim lidhur me vizitën e Kryeministrit Kurti në Berlin dhe zhvillimet rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Sipas FAZ, mbështetja tek Komiteti i Ministrave të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës nuk është aq qartë sa në Asamblenë Parlamentare të KiE, ku u rekomandua pranimi i Kosovës.
Kryeministri Kurti ka thënë se Asociacioni mund të themelohet nga vetë serbët, pasi Qeveria s’mund ta imponojë atë, duke shmangur shkeljen e parimeve të Këshillit të Evropës dhe Kushtetutës së Kosovës. Në këtë kontekst, BE ka propozuar një draft-statut për Asociacionin, ndërsa QUINT (pesë vendet perëndimore) kanë bërë propozime të ngjashme.
Gazeta gjermane thekson se në komunat veriore të Kosovës nuk janë zgjedhur kryetarë të rinj, dhe sipas shkrimit, kjo është bërë qëllimshëm si një mënyrë për të bllokuar themelimin e Asociacionit dhe integrimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në Beograd, sipas gazetës, politikanët serbë ndalojnë iniciativat për krijimin e një asociacioni të komunave ose mbështesin propozime që përputhen me Këshillin e Evropës, ndërsa ankohen për mungesën e një asociacioni të tillë. Frankfurter Allgemeine Zeitung thekson se politikanët e SPD-së në Berlin kanë sugjeruar që të evitohet kurthi i presidentit serb Vuçiq.
Në Berlin, diskutime janë zhvilluar për dorëzimin e propozimit për një asociacion serb të komunave për shqyrtim te juristët kushtetues të Këshillit të Evropës. Kjo mund të jetë një rrugëdalje nga kurthi serb, sipas politikanëve të SPD-së.
QUINT ka kërkuar që draft-statuti i Asociacionit të dërgohet për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, si një hap i Qeverisë Kurti drejt themelimit të Asociacionit. Kërkesë të ngjashme ka bërë edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.