Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përveç asaj evropiane, tha kryetari i Kuvendit bullgar, Rosen Zhelazkov, në Shkup.

Ai theksoi se politikanët e të dyja vendeve u kanë borxh popujve të tyre të ardhme të përbashkët evropiane, por edhe paqe dhe prosperitet në këtë botë, siç thotë ai, të parehatshme, shkruan Alsat.

Zhelazkov, duke folur për ndryshimet kushtetuese në vend, shprehu mirënjohjen që shumica e deputetëve e mbështesin anëtarësimin e Maqedonisë në BE.

“Është e qartë që ka shumicë, por nuk mjafton për momentin. Por, ekziston një mendim se burrështetasit mendojnë për gjeneratat e ardhshme, dhe politikanët mendojnë për zgjedhjet e ardhshme. Për ne është e rëndësishme se qëndrimi i Republikës së Bullgarisë për pranimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian është i paqartë”, tha Rosen Zheljazkov – Kryetar i Kuvendit të Bullgarisë.

Në takimin me nikoqirin e tij Talat Xhaferin, është biseduar edhe për zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe miqësi nga viti 2017. Zhelazkov kërkoi që në mënyrë efektive të respektohen të drejtat e komunitetit bullgar në Maqedoni kurse pjesë e këtij procesi, siç shtoi ai, janë edhe ndryshimet е Kushtetutës për futjen e bullgarëve. Zhelazkov theksoi se kompromisi i arritur me propozimin francez është kompromis për kombet.

“Ne besojmë se arsyeja dhe vullneti politik do të mbizotërojnë dhe këtë vit do të kemi mundësinë të përshëndesim fillimin e negociatave me Komisionin Evropian. Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne që Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria të ecin së bashku në këtë rrugë”, u shpreh Rosen Zheljazkov – Kryetar i Kuvendit të Bullgarisë.

Takimi mes Xhaferit dhe Zhelazkovit kaloi pa mundësi për pyetje të gazetarëve. Siç informoi kryetari i Kuvendit bullgar, të dy biseduan edhe për lidhjen digjitale dhe këmbimin tregtar.

Në fund, Zhelazkov uroi që në takimin e ardhshëm të përshëndetet ndryshimi i Kushtetutës dhe fillimi i procesit negociues për anëtarësimin e plotë të Maqedonisë në BE./ Alsat.mk