Qeveria do të ketë afat në dy muajt e ardhshëm për të vendosur për shkarkimin e mundshëm të udhëheqësisë së Fondit të Inovacionit, pasi Komisioni Kundër Korrupsionit konstatoi parregullsi në funksionim, shkruan Alsat.
Denoncimi që e ka shqyrtuar antikorrupsioni i referohet granteve të marra nga dy kompanitë në pronësi të nipit të Ali Ahmetit, Drin Ahmetit.
Komisioni kërkoi përgjegjësi nga drejtori i Fondit, Bordi Drejtues dhe Komisioni i Miratimit të Investimeve. Tani pritet vetëm që vendimi të shpallet publikisht.
“Qeveria brenda 60 ditëve duhet të vendosë nëse do të marrë masa konkrete, sepse Komisioni Shtetëror me iniciativë nuk ka të drejtë ligjore të caktojë masën, pastaj për përcaktimin e përgjegjësisë masën e ka lënë të caktohet nga organi kompetent, në këtë rast Qeveria, e cila mund të jetë nga paralajmërimi deri në shkarkim, këtu KSHPK nuk ndërhyn”, tha Nuri Bajrami – ish-anëtar i KSHPK-së.
Sipas Bajramit, Fondi në mënyrë kundërthënëse ka mundësuar që projektet e punuara nga kompanitë e Drin Ahmetit, Thor Industries dhe Everest, të shkurtojnë kohëzgjatjen e zbatimit të tyre.
Fondi e miratoi edhe pse nuk kishte mundësi ligjore për të. Në të njëjtën kohë, kompanitë janë vonuar ose nuk kanë dorëzuar fare raporte përfundimtare ndërsa Fondi nuk ka marrë asnjë masë. Gjithashtu, Fondi nuk ka kryer asnjë inspektim në terren për të parë se si po shkon realizimi i projekteve.
Megjithatë, ky nuk ka qenë rast i izoluar.
“U jemi përmbajtur pretendimeve në raport dhe i referohemi dy kompanive të Drin Ahmetit, por nga të dhënat që kemi marrë ky lloj i punës nuk ka të bëjë vetëm me dhënien e granteve për këto dy kompani, sepse edhe më parë kështu është vepruar, sipas Rregullores për instrumentin e mbështetjes që nuk është i qartë dhe i shkruar taksativisht sipas ligjit”, u shpreh Nuri Bajrami – ish-anëtar i KSHPK-së.
Projektet inovative të kompanive të Drin Ahmetit jozyrtarisht kishin të bënin me modelimin 3D dhe menaxhimin e të dhënave. Për Drinin nuk kërkohet përgjegjësi, pasi nuk është zyrtar. Kompanitë Thor Industries dhe Everest kanë marrë pesë milionë denarë.
Kompania Everest ka selinë në Soravia, ku Drin Ahmeti u bë bashkëpronar i qendrës tregtare në qendër të Shkupit pa investuar asnjë qindarkë./ Alsat.mk