Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot mbledhjen e 55-të të Këshillit të Përgjithshëm. Kjo mbledhje si çdo herë u hap me intonimin e himnit kombëtar.
Pas kësaj kryetari njëherësh edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti iu drejtua delegatëve me një fjalë rasti.
Ai përmendi atentatin ndaj ish-presidentit amerikan Dondal Trump, ku u shpreh se dhuna politike është e papranueshme.
“Sot u shokuam nga tentim vrasja e ish-presidentit amerikan Donald Trump, tij i dëshirojmë shërim të shpejtë e të plotë dhe e dënojmë ashpër këtë akt kriminal dhe i shprehim ngushëllime familjes së pjesëmarrësit që u vra. Dhuna politike është e papranueshme, demokracia dhe paqja janë vlera dhe mënyra të drejta e të duhura kudo”, tha Kurti.
Kurti shtoi se jetojmë në një epokë që përveçse e vështirë është edhe e rrezikshme.
“SHBA-të janë miku, partneri dhe aleati ynë më i madh dhe i pazëvendësueshëm. Demokracia dhe siguria dhe stabiliteti në SHBA janë të rëndësishme për demokracinë, sigurinë dhe stabilitetin në mbarë botën e veçanërisht në Republikën tonë të Kosovës”, tha Kurti.