Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kazerma e FSK-së është vendi i duhur ku merr kuptim Epopeja e UÇK-së. I pari i qeverisë tha se ngado ku shkojnë shqiptarët nëpër botë kanë në zemër historinë e vendit të tyre.
Kryeministri Kurti tha theksuar se tashmë Kosova është shtet i pavarur dhe ka ushtrinë e vet, shtet që synon zhvillimet perëndimore demokratike.
“Si në çdo mars ne jemi këtu në një nga vendet më të duhura për kuptimin dhe kujtimin e Epopesë së UÇK-së. Në një vend çlirimtarësh ushtria është vendi i drejtë për ta kujtuar Epopenë. Ne e njohim historinë tonë, ne e vlerësojmë sepse ajo është e dendur në emra dhe vepra. Ngado ku shkojmë nëpër botë me historinë tonë në zemër, brenda çdo pragu në familjet tona këtu e në mërgatë. Shumë nga ju janë bijtë e dëshmorëve e të luftëtarëve.
“Tani epoka po flet ndryshe. Së pari sepse ne jemi shtet i pavarur dhe kemi ushtrinë tonë. Jemi shteti i një shoqërie që synon zhvillimet perëndimore e demokratike të lirive. Jemi pjesë e një kombi qe mbron me ushtrinë idenë dhe praktikën e drejtësisë e lirisë. Epoka dhe vetëdija botërore po ndryshojnë, po kuptohet gjithandej në kancelaritë e fuqishme se ledhatimi i padrejtësisë nuk e sjell kurrë paqen por të kundertën e saj. Paqja dhe padrejtësia nuk mund të bashkëjetojnë”, tha Kurti.
“Ne i mbahemi një ideali të kulluar të Epoepesë dhe të Jasharajve. E kush i mbahet një ideali të kulluar, del gjithmonë fitues, kjo është fryme e Epopesë së UÇK-së, duhet të jemi krenar dhe të dijshëm. Guximi është trimëri dhe dije, edukimi i ushtarakut duhet të jetë i plot dhe guxim, se ushtaraku mbron një popull të tërë”.
Kurti ka përmendur edhe anëtarësimin në NATO, për të cilin tha se bëhen hapa të përditshëm në këtë drejtim.
Sipas Kurtit ushtria është më e fortë se kurrë, derisa përmendi edhe disa të arritura gjatë këtyre viteve qeverisje.
“Të nderuar ushtarakë, ju jeni shprehje e qartë e seriozitetit tonë në arenën ndërkombëtare. Skena globale do t’na ofrojë sërish situata krizash dhe shtetete te korruptuara, ne duhet t’i ofrojmë guxim dhe ndershmëri se ky është shërbimi ynë i vetëm për të ardhmen tonë shtetërore. Shtetet evropiane në kontinentin tonë ku ne përkasim, po e kuptojnë rrezikun më qartë se kurrë. Aelanca më e madhe ushtarake e historisë po ngjallet në tema dhe strategji. Po marrim pjesë aktivisht në këtë kahje. Synimi ynë për anëtarësim në NATO është bërë i qartë nga ana e qeverisë tonë, po bëjmë hapa të përditshëm drejt cakut. Ushtrinë të cilën e kemi më të fortë se kurrë. E kemi rritur numrin e ushtarëve në dy vitet që shkuan, dhe i kemi paraparë 600 të tjerë për këtë vit. I kemi rritur investimet në armatim, jemi pajisur me dronë dhe po e pajisim dhe me Javelin. Trajnimet jashtë vendit për juve ushtarakë i kemi katërfishuar”, tha Kurti në Kazermën e FSK-së.