Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të shtetasve kosovarë të cilët janë ndaluar dhe mbahen të bllokuar përgjatë kufirit të Serbisë me Hungarinë dhe Kroacinë.

Kryeministri Kurti ka theksuar se kjo situatë ishte e paralajmëruar nga Serbia dhe se po bëhet pas suksesit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së.

“Të dielën ka pasur një deklarim publik nga presidenti i Serbisë, ku është paralajmëruar se do të ketë kësi lloj arrestimesh e ndalimesh për shqiptarët në vendkalimet kufitare. Ai ka thënë publikisht kur e ka vizituar njësitin e specializuar Kobra të ushtrisë së Serbisë se aty ku kanë kontroll efektiv do të ketë sulme mbi ata që Serbia i konsideron të padëshirueshëm. E këtu e ka fjalën për shqiptarët e Kosovës, për shqiptarët që janë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe jo vetëm, por gjithashtu edhe për serbët të cilët janë të integruar në institucionet e sistemit tonë. Ndërkaq, pas kalimit me sukses me 82 përqind të votave në Asamblenë Parlamentare të KiE-së duket se është përshpejtuar dhe është rritur përmasa e Serbisë, e cila thjesht ka problem me faktin që ne si popull dhe si shtet ekzistojmë”, ka theksuar Kurti.

Këto komente kryeministri i bëri pas homazheve në Poklek në 25 vjetorin e masakrës së forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë.

Ai tutje ka theksuar se autoritetet serbe jo që vetëm nuk janë penduar për atë që ka ndodhur para 25 vjetëve, por duket qartë se kanë edhe një lloj dëshire për të vazhduar krimet e dikurshme të Millosheviqit.