InDoks vite më parë nxorri rrëfimin ekskluziv të Shukri Aliut, një ushtarak shqiptar që kishte dëshmuar edhe në procesin penal kundër Sllobodan Millosheviqit në Tribunin Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në Ish-Jugosllavi (ICTY).

Ai për herë të parë në këtë intervistë ka zbuluar harta e dokumente sekrete që sipas tij zbulojnë që lufta në Kosovë ishte përgatitur shumë dekada më parë dhe ishte pjesë e një platforme për siç e quan ai “Serbinë e Madhe”.

Për herë të parë në këtë intervistë, Aliu zbulon edhe lista të atyre që njihen si “paramilitarë”, por që sipas tij ishin të kontraktuar nga Ushtria e Ish-Jugosllavisë për të kryer krime në luftën e Kosovës.

Ai ngre dyshime se aktualisht në Kosovë janë edhe mbi 100 familje serbe që pretendohet se erdhën nga Shqipëria në Kosovë gjatë luftës, por që thotë për prejardhjen e tyre duhet të kërkohet hetim se a erdhën vërtetë nga shteti shqiptar, apo u kamufluan si të tillë.

Në një pjesë të dëshmisë së tij ai ka folur gjerë e gjatë për vrasjen e Profesor Fehmi Aganit. Përmend edhe emra se kush, sipas tij e kreu këtë krim.

Më shumë se sa një herë ai është fokusuar dhe ka ngritur dyshime për përfshirjen e Kishës Serbe në Kosovë në luftën e fundit dhe me theks të veçantë përfshirja direkte e ish-Bishopit të saj, Artemije Radosavljević që sipas tij edhe ka qenë pjesë e shtabit ushtarak që ishte i përfshirë në krime lufte, por edhe madje ka dekoruar të dyshuar për krime lufte.