Marrëdhëniet mes Leklerkut dhe Saincit kanë qenë gjithmonë korrekte, por jo pa momente tensioni të forta. Vetë Leklerku foli hapur për këtë në podcastin F1 “Beyond the Grid”.

“Do të më mungojë Karlosi, si personi. Shkojmë shumë mire. Fatkeqësisht, në këtë botë çdo gjë analizohet dhe kritikohet tepër, por ne kemi pasur gjithmonë një marrëdhënie të mirë. Ne ndajmë shumë interesa dhe ka kujtime që do t’i mbaj me vete përgjithmonë”, tha Leklerk, që nuk e mohon që lidhja e tyre ka kaluar nëpër faza të komplikuara.

Në vitin 2025, Leklerk do të bashkohet nga Hamiltoni dhe ai ka një ide se çfarë do të sjellë ardhja e shtatë herë kampionit të botës në “Maranello”.

“Do të ketë një ndikim jashtëzakonisht pozitiv. Një kampion si Luisi sjell shumë motivim për secilin prej anëtarëve të tij. Ky është efekti i parë pozitiv që do të ketë te Ferrari. Luis do të shfrytëzojë të gjithë përvojën që ka grumbulluar në këto vite me Mercedes. Ai vjen me një mënyrë tjetër të punës, një vizion tjetër dhe kjo vetëm i sjell përfitim skuadrës”, tha Leklerk.

Monogasku nuk e mohon se ndihet i stimuluar nga krahasimi me Hamilton.

“Do të kem të njëjtën makinë si piloti më i suksesshëm në F1. Do të jetë shumë interesante për mua të mësoj nga një prej më të mirëve. Të mposht Luis dhe të tregoj se çfarë jam i aftë do të jetë një sfidë dhe motivim i madh,” tha në fund Leklerk.