Shkruan: Naser Pajaziti

Ligji për të drejta të veçanta për pjesëtarët e forcave të sigurisë dhe familjet e tyre në konfliktin e 2001, i njohur në opinion si “Ligji për branitellat” vazhdon të jetë një ligj segregacioni dhe stigmatizues për shqiptarët, por ekskluziv për maqedonasit.

Gjashtë muaj pas përfundimit të konflikit të vitit 2001 dhe pas 13 gushtit të nënshkrimit të Marrëveshjës së Ohrit, gjegjësisht më 15 janar 2002 në Parlamentin e Maqedonisë ishte sjellë ligji i parë i ashtuquajtur “Ligji për branitellat”.

Ky ligj ishte përjashtues dhe diskriminues ndaj shqiptarëve, sepse me këtë ligj nuk zgjidhej statusi i pjestarëve të UÇK-së, që ishin demobilizuar dhe që ishin palë e përfshirë në konfliktin e vitit 2001. Por me ligjin e miratuar që përfshinte vetëm “branitellat” dhe familjet e tyre, nuk ishin përfshirë as viktimat shqiptare të këtij konflikti, nuk kishte as për ata pako konkrete ligjore për përkujdesje shtetërore.

Ligji ishte sjellë unanimisht në Qeverinë e zgjeruar ku ishin VMRO-DPMNE, LSDM, PDSH, PPD, edhe pse këto dy të fundit ishin kundër.

Ligji përfshinte zgjidhje dhe përkujdesje për “branitellat” dhe anëtarët e familjeve të tyre si: shërbime falas shëndetësore, punësim, sigurim banimi, ndihmë e njëhershme financiare, arsimim falas dhe beneficione tjera.

Në vitin 2003, Qeveria LSDM – BDI bëri një ndërhyrje të radhës në “Ligjin e branitellave”, ku me një amendament ishte siguruar “Pension familjar” për këto kategori.

Ndërhyrje dhe ndryshime në këtë ligj ka pasur edhe në vitin 2004, po gjatë qeverisjes LSDM-BDI, si dhe më 2007, gjatë kohës kur në pushtet vjen VMRO-DPMNE-PDSH. Ndërhyrjet ishin bërë sërish për të drejta plotësuese të veçanta (shëndetësore dhe benefite tjera plotësuese) për pjesëtarët e forcave të sigurimit të Republikës së Maqedonisë dhe anëtarëve të familjeve të tyre, me propozimet e bëra nga Shoqatat e Mbrojtësve (Branitellëve) Maqedonas.

Në vitin 2008 ishte një shans që të arrihej zgjidhje ligjore për përkujdesje institucionale për ish-pjestarët e UÇK-së konform përkujdesjes që kishin “branitellat” apo një model tjetër zgjidhjeje.

“Marrëveshja e Majit” e vitit 2008 e iniciuar dhe ndërmjetësuar nga SHBA-të dhe BE si pikë të veçantë kishte përkujdesjen institucionale për ish-pjestarët e UÇK-së të dalë nga konflikti i vitit 2001 dhe viktimat e tjera të luftës.
Kjo marrëveshja e negociuar ishte edhe në letër, ku si çështje të nxehta ishin Ligji për gjuhët, gjegjësisht gjuhën shqipe dhe ligji i lartëpërmendur.

Edhe Vikilis (Wikileaks) si dëshmi ka publikuar një dokument të kësaj marrëveshje midis Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit. Sipas Vikiliks, kryeministri i asaj kohe, Gruevski i kishte premtuar liderit të BDI-së, Ahmetit se në Parlament do të propozonte ligj përmes të cilit luftëtarët e UÇK-së dhe viktimat e luftës do të përfitonin pako sociale, punë, mjete financiare dhe beneficione të tjera.

“Ambasadori amerikan pak më vonë ia kishte kujtuar Gruevskit dy çështjet e hapura nga Marrëveshja e 29 majit ndërmjet VMRO-DPMNE-së në pushtet dhe BDI-së opozitare – pako sociale për viktimat e luftës së vitit 2001 dhe kompletimi i projektligjit për gjuhën. Ndërsa, Gruevski i ishte përgjigjur se Qeveria e tij është e gatshme t’u japë para dhe vende pune personave që BDI-ja tashmë i ka propozuar”, thuhej në dokumentin e WikiLeaks. Por asgjë konkrete nuk ndodhi, nuk kishte zgjidhje ligjore për pako sociale apo ndonjë model tjetër zgjidhjeje.

Paralelisht gjatë kësaj periudhe, Shoqata “Dinjiteti” e përbërë nga ish-pjesëtarë të forcave maqedonase të sigurisë kishte dorëzuar në Parlament propozimet e tyre për shkak të pakënaqësive për dinamikën e realizimit, plotësimin e të drejtave dhe benefiteve shtetërore për “branitellët”. Këto propozime nuk kishin marrë dritë jeshile në Parlamentin e RM-së, por siç kuptohet ato ishin nxitur për të bërë presion ndaj zgjidhjes për palën shqiptare që për herë të parë kishte dritë jeshile nga ndërkombëtarët.

Në prill të 2010, vjen një nismë tjetër nga deputetët Abedin Zymberi dhe Daut Rexhepi si dy ish-pjesëtarë të UÇK-së, që kishin dorëzuar propozim-ligj për pjesëtarët e UÇK-së, bazuar në elementet e përkujdesjes së barabartë sikur me ligjin për “branitellët”. Por, edhe kjo nuk kishte gjetur përkrahje dhe nuk mori miratimin e Parlamentit.

Në gusht të 2012 po ashtu ishte hapur debat për këtë ligj, për të drejta më speciale për “branitellët” dhe familjet e tyre, por debati kishte ngelur në Kuvend, për shkak të bllokadës nga partitë shqiptare.

Në mars të 2021 gjatë qeverisjes LSDM-BDI sërish është hapur ky ligj famoz, kur është bërë harmonizimi i ligjit me emrin e ri të shtetit nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut, por ka pasur ndërhyrje edhe në shifra financiare. Sërish heshturazi dhe asgjë për ish-pjestarët e UÇK-së.