LSDM-ja propozon ulje të tatimit të vlerës së shtuar për produktet bazë nga 5 në 0%. Sipas tyre, do të ndihmojë qytetarët të kursejnë meqë masat e qeverisë nuk japin rezultate. Ata njoftuan se përsëri do ta dorëzojnë pr/ligjin për pagën minimale prej 450 eurosh. VMRO-DPMNE-ja thotë se LSDM-ja sa ishte në qeveri, kisha refuzuar katër herë propozimin e tyre për uljen e tatimit. Sipas tyre, partia e Filipçes mund të ndihmojë në rritjen e standardit përmes amendamenteve cilësore për buxhetin.
“Me këtë do të mbulohen mbi 250 kategori produktesh që do të jenë me 0% TVSH. Cili do të jetë efekti real i kësaj mase në buxhetin e qytetarëve? Ushqimi dhe pijet në shportën konsumatore janë rreth 23 mijë denarë. Me 0% TVSH, kursimi i qytetarëve në muaj do të jetë nga 1200 deri më 2000 denarë. E që është më e rëndësishme, për të zbatuar këtë propozim-ligj nuk është e nevojshme të sigurohen mjete financiare nga buxheti dhe kjo masë nuk do të mund të manipulohet nga tregtarët, siç ndodh me masat e qeverisë”, deklaroi Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
“Shfrytëzoj rastin ta ftoj Venko Filipçen bashkë me grupin e tij parlamentar që sot të fillojnë ta shqyrtojnë buxhetin i cili duhet të hyjë në procedurë parlamentare dhe ta caktojnë seancën parlamentare, të mos ikin nga diskutimi parlamentar dhe t’i shohin propozimet për rritjen e pensioneve, rritjen e rrogave, për investimet kapitale, të japin amendamente që janë serioze dhe në atë mënyrë do të mund të japim mbështetje që të rrisim standardin e qytetarëve”, tha Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE. /Alsat.mk