Në Ditën e Personave të Zhdukur me Dhunë, në Mejë u mbajt tubim përkujtimor organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Komisioni Qeveritar për personat e zhdukur, Këshilli Koordinues i asociacionit të familjarëve të të zhdukurve të Kosovës dhe Shoqata “27 prilli 1999 Mejë”.

Kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, vendosën buqetë me lule në kujtim të Nënës Pashke dhe bënë nderime te memoriali i ngritur në përkujtim të vrarëve në masakrën në Mejë.

Në kujtim të masakrës në Mejë dhe të gjithë personave të zhdukur gjatë luftës, kryeministri Kurti tha se Serbia po vazhdon të mohojë e të fshehë krimet e kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë.

closevolume_off
‘’Ndonëse lufta e armatosur dhe e përgjakshme në Kosovë përfundoi në qershor të vitit 1999, lufta për luftën e Kosovës, nuk ka përfunduar asnjëherë dhe ajo vazhdon edhe sot. Në njërën anë është Serbia autokratike që përpiqet t’i fshehë dhe mohojë krimet e kryera prej saj në Kosovë, duke u ikur përgjegjësive për to. Kurse në anën tjetër është Kosova demokratike, që me shoqërinë dhe shtetin e saj e thotë të vërtetën për luftën e Kosovës, që nga vendet ku janë kryer krimet gjatë luftës sikur Meja dhe deri në instancat më të larta ndërkombëtare, sikur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara,” tha Kurti.