Superylli i Paris Sen Zhermenit, Kilian Mbappe foli për të ardhmen e tij pas ndeshjes së tij të fundit me klubin francez. Pas fitores 2-1 ndaj Lionit në finalen e Kupës së Francës, 25-vjeçari tha se do të priste kohën e duhur për të shpallur klubin e tij të ardhshëm.
“Të përfundosh me një trofe në një finale, nuk ka mënyrë më të mirë.
Ndihem shumë mirw. Gjithçka që doja ishte t’i mbyllja gjërat mirë me klubin tim, me një trofe.
Mendoj se ka një kohë për çdo gjë dhe do të shpall klubin tim të ardhshëm në kohën e duhur. Mendoj se do të jetë pas disa ditësh kështu që nuk ka asnjë problem.
Nuk e di se kur. Ka ende disa detaje për t’u zgjidhur, por gjëja më e rëndësishme ishte të përfundonim në një nivel të lartë këtu,” u tha Mbappe gazetarëve pas fitores ndaj Lionit.
Mbape konfirmoi një javë më parë se do të largohej nga PSZH, me kontratën që i skadon gjatë verës. Gjigantët e Ligue 1 u përpoqën ta mbanin atë në klub, me presidentin Nasser Al-Khelaifi që u mundua ta bindte, por pa rezultat.
Sulmuesi do të largohet nga klubi si një nga legjendat e tyre. Pas një lëvizjeje të bujshme prej 180 milionë eurosh nga Monako në 2017, ai ka bërë 307 paraqitje për skuadrën, duke shënuar 256 gola dhe duke dhënë 108 asiste.
Ai ka shumë gjasa t’i bashkohet Real Madridit në një transferim me kosto zero. Ai ishte afër një lëvizjeje drejt Madridit në verën e vitit 2022, por më pas rinovoi me PSZH-në.