Zëvendës kryeministri i Parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti sot priti në një takim pune udhëheqësin e detyrës, kryetar i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani me të cilin biseduan për projektet që po realizon kjo komunë në drejtim të përmirësimit të mjedisit jetësor, dhe projektet të cilat do të realizojnë si dy institucione me qëllim të përmirësimit të standardit jetësor të gostivarasve.
Mexhiti tha se ky takim realizohet në kuadër të takimeve të rregullta të cilat i zhvillon në cilësi të ministrit të Mjedisit dhe të zëvendës kryeministrit të Parë me kryetarët e komunave, ndërsa dha lajmin se për Komunën e Gostivarit në këtë fazë është dhënë pëlqim për përkrahjen e tre projekteve kapitale për qytetarët e Gostivarit dhe rrethinat e tij.
‘Biseduam për projektet që janë në rrjedhë e sipër, për projektet që do të realizohen në të ardhmen dhe që do të përkrahen nga qeveria, duke pasur parasysh se decentralizimi është në shkallë të ulët dhe sigurisht se komunat kanë nevojë të mbështeten, mbështesim projektin e kanalizimit fekal nga blloku 2, një projekt shumë i rëndësishëm për një pjesë të qytetit të Gostivarit, poashtu kemi gjetur mundësi për ta mbështetur edhe një projekt për fshatin më të madh në Maqedoni Çegran, ku duhet të vazhdon projekti i kanalizimit me vlerë 1.3 milion euro, dhe në këtë drejtim përveç komunës do ta mbështesim edhe ne si qeveri, dhe ajo që është më e rëndësishmja është se kjo qeveri ka dhënë një stimul të rëndësishëm për decentralizimin, dhe brenda katër viteve të ardhshme të mandatit tonë do të ndajmë diku 1 miliardë euro për projektet komunale, dhe secila komunë në bazë të metodoligjisë, sipas numrit të banorëve do të merr hisen e vet për projekte konkrete’, tha Mexhiti para mediave.
Komunat, tha Mexhiti në bashkëpunim me komisionin qeveritar, do të vendosin se cilat projekte i kanë prioritare, ndërsa u.d. kryetar i Gostivarit Valbon Limani shprehu falënderim për mbështetjen e parezervë që mori nga zv.kryeministri i Parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor, Mexhiti.
‘Biseduam rreth shpalljeve dhe mjeteve të cilat i ka paraparë qeveria për komunat, si dhe me problemet me të cilat ballafaqohemi ne si komunë, siç janë bllok-dotacionet nga ministria e Arsimit dhe Shkencës, bllok-dotacionet nga ministria e Mbrojtjes si dhe projektet për përmirësimin e kushteve jetësore të qytetarëve duke u përqëndruar në projekte që kanë të bëjnë me ambientin jetësor, me cilësinë e ajrin dhe infrastrukturën nëntokësore’ tha udhëheqësi i detyrës, kryetar i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani.
Gjatë takimit Mexhiti-Limani u bisedua edhe për decentralizimin dhe idenë që të shkohet në fazë të re të decentralizimit fiskal që nënkupton fuqizimin e komunave, përmirësimin e bllok-dotacioneve duke pasur parasysh se me rritjen e pagave janë zvogëluar mjetet për transport dhe investime nëpër shkolla.