Në prag të 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka nderuar mësimdhënës shqiptarë nga vendbanime të ndryshme të vendit, duke vlerësuar kontributin e tyre shumëvjeçar në ruajtjen dhe zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe.
Në aktivitetin e mbajtur në Shkup, Mexhiti theksoi se krahas rëndësisë historike të Kongresit të Manastirit, meritë të veçantë kanë edhe mësimdhënësit, të cilët ndër breza kanë edukuar dhe arsimuar fëmijët në gjuhën amtare.
Ai rikujtoi sfidat me të cilat janë përballur mësuesit ndër vite dhe theksoi se mirënjohja ndaj tyre duhet të shoqërohet me mbështetje institucionale, tekste cilësore në gjuhën shqipe dhe kushte më të mira në shkolla.
Në fund, Mexhiti falënderoi mësimdhënësit veteranë dhe ata që vazhdojnë të kontribuojnë në arsim, duke vlerësuar përkushtimin e tyre në edukimin e gjeneratave të reja dhe duke uruar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

