Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti ka deklaruar se askush nuk mund ta kundërshtojë faktin se si stema, ashtu edhe himni kombëtar kanë origjinën siç tha ai, nga koha e komunizmit dhe nuk pasqyrojnë realitetin ashtu siç duhet, transmeton Portalb.mk.
Ai këtë deklaratë e tha në emisionin “24 Analizë“, ku mes tjerash zbuloi se a ka apo nuk ka marrëveshje me koalicionin qeveritar.
“Nuk kemi marrëveshje, por po diskutojmë për të gjitha çështjet e hapura. Të gjithë e dimë se formulimi ‘gjuha që flasin 20 për qind e qytetarëve’ është nënçmuese dhe nënvlerësuese për komunitetin e dytë në vend, por këto janë biseda, nuk kemi marrëveshje”, tha zëvendëskryeministri.
Ndryshe, pas një dekade, çështja e ndryshimit të stemës shtetërore në Maqedoninë e Veriut është rihapur nga kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski. Ai konfirmoi dje se me partnerin e tij qeveritar koalicionin VLEN kanë biseduar për këtë temë dhe kanë ngritur çështjen e ndryshimit të stemës shtetërore.
Kujtojmë se, herën e fundit që u propozua ndryshimi i stemës ishte nga Qeveria e Nikolla Gruevskit dhe BDI-së në vitin 2014, por ajo nuk arriti të sigurojë një shumicë prej dy të tretash për të mbështetur këtë ide. Ishte një luan i kuq në një sfond të verdhë të artë në formën e një mburoje, si dhe një kurorë në pjesën e sipërme në formën e një fortese. Ndër shpjegimet e dhëna nga qeveria e asaj kohe ishte se Maqedonia dhe Bjellorusia ishin të vetmet vende në Evropë që kishin një stemë shtetërore të frymëzuar nga heraldika sovjetike.
Përfaqësues të BDI-së arsyetonin propozimin për stemën e re duke thënë se luani është simbol edhe për shqiptarët. Si argument për këto pretendime u prezantua stema e qytetit të Durrësit, e cila gjithashtu përmban një luan të kuq me prapavijë të verdhë.
Historianët shqiptarë kundërshtuan zëshëm këtë propozim duke thënë se luani nuk ka qenë asnjëherë simbol i të gjithë shqiptarëve, dhe edhe në rastet kur është përdorur në stema të ndryshme, nuk ka përfaqësuar elementin etnik shqiptar.