Kryeministri Hristijan Mickoski nga Uashingtoni tha se qeveria e tij është e angazhuar që nëpër botë të rrisë vetëdijen për situatën në të cilën ndodhet vendi sa i takon anëtarësimit në BE. Ai tha se qasja për ndryshime kushtetuese por me garanci është qasja e duhur.
“Ne prezantojmë qasjen tonë, përpiqemi të bindim sa më shumë njerëz që është e mundur, përpiqemi të bindim sa më shumë diplomatë që është e mundur se kjo është qasja e duhur për shtetin dhe për popullin që përjetoi shumë nënçmime vetëm ne emër të perspektivës Evropiane, si asnjë vend tjetër. Qasja e formës, ata janë brenda kurse ju jeni jashtë. Nëse dëshironi të jeni pjesë e klubit atëherë duhet të pranoni gjithçka, është pak si ultimatum”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Disa vende të Ballkanit kanë sjell Ballkanin në Bruksel dhe jo anasjelltas, tha Mickoski duke folur për fenomenin të cilin ai e quan ballkanizim të BE-së dhe një problem serioz. Mickoski shprehu pakënaqësinë e tij nga BE-ja dhe SHBA-të të cilët në 2018-tën i premtuan shumë vendit, në këmbim të ndryshimit të emrit. I llogarit si standarde të dyfishta.
“Ishte viti 2018 kur shumë njerëz nga e gjithë bota na vizituan. Shumë përfaqësues të lartë nga BE-ja, kryeministra të shteteve shumë të fuqishme, presidentë po ashtu dhe na thanë vetëm ndryshoni emrin dhe meqë jeni në linjën e parë, menjëherë do të bëheni pjesë e NATO-s dhe do të filloni negociatat me BE-në dhe një periudhë prej 4-5 vitesh do të bëheni pjesë e BE-së. ata 4-5 vite kaluan dy vjet më parë dhe ne jemi në të njëjtën situatë se 20 vite më parë por ndërkohë kemi ndryshuar flamurin, Kushtetutën, valutën, emrin dhe gjithçka. Prandaj unë flas gjithkund nëpër botë tani, ta ngrejë vetëdijen për historinë e fatit të Maqedonisë e që është shembulli më i mirë i standardeve të dyfishta”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Kryeministri këto përgjigje i dha në Këshillin Atlantik në Uashington, kushtuar të ardhmes së raporteve trans-atlantikë në Ballkanin Perëndimor. /Alsat.mk