“Sot do të njoftoj një lajm të mirë për ekonominë maqedonase” – shkroi gjatë mëngjesit në Facebook, Kryeministri Hristijan Mickoski.

E kishte paralajmëruar dhe Mickoski u shpreh me tone lëvdatash për marrëveshjen me bankat për kredinë hungareze.

Sipas tij, ka konfirmime nga disa banka dhe pret që shumica prej tyre të mbështesin këtë projekt dhe sic tha, përfundimisht 250 milion eurot e huamarrjes hungareze, nga e hëna, të nisin t`u ndahen ekonomisë së vendit.

“Është dakorduar norma e interesit prej 1.95%, deri në tri vite “grejs-periudhë” dhe deri në 15 vite afat pagese varësisht nevojave të kompanive. Çmoj se kjo është një marrëveshje historike me normaë më të ulët historike të interesit” – tha Mickoski.

Sipas Mickoskit, për të fituar kreditë, kompanitë duhet të kenë minimalisht 20% të pjesëmarrjes vetanake, kurse shuma maksimale që mund të merret është e kufizuar në 10 milion euro.

“Kjo do të thotë se do të kemi valë investues prej 300 milion eurove. Të gjithë kompanitë do të kenë mundësi t`i investojnë këto para për mjete themelore të punës, në burime të riparueshme të energjisë, si dhe në objekte që do t`i shfrytëzojnë si ndërtesa të tyre administrative respektivisht për nevoja personale” – tha Mickoski.

Maqedonia e Veriut mori huamarrje nga Hungaria në vlerë prej 500 milion eurove. Gjysma e mjeteve janë për projekte të infrastrukturës të Komunave kurse gjysma tjetër si kredi për kompanitë, ku 250 milion eurot përmes Bankës Investuese Maqedonase do të transferohen në bankat komerciale ku firmat do të aplikojnë për kredi.

Kryeministri Mickoski dhe homologu I tij hungarez, Viktor Orban, kredinë e dakorduan në margjinat e Samitit të NATO-s në Uashington në korrik të këtij viti.

Opozita ka adresuar kritika ndaj qeverisë se nuk ka kritere të qarta se si do të shpërndahet huamarrja hungareze, e as sistem kontrolli për harxhimin e mjeteve, duke shtruar pyetjen se cili do jetë çmimi politik që do ta paguajë shteti.

Para se të finalizohen obligimet teknike rreth kredisë, opozita drejtoi akuza se pas kredisë hungareze qëndrojnë para të Kinës. /tvklan.mk/