Diplomati grek Mihalis Rokas prej dje mori detyrën e ambasadorit të Bashkimit Evropian dhe shefit të delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, duke zëvendësuar në këtë pozitë ambasadorin aktual David Geer.
“Sot mirëpresim ambasadorin e ri të BE-së në Maqedoninë e Veriut, Michalis Rokas”, thuhet në postimin e djeshëm të Delegacionit të BE-së në Facebook.
Nga ana tjetër, ambasadori i ri u shpreh i emocionuar për detyrën e re.
“I emocionuar për fillimin e një kapitulli të ri si Ambasador i BE-së në Maqedoninë e Veriut! Mezi presim të njohim vendin dhe njerëzit, të punojmë për të mbështetur rrugën drejt BE-së, si dhe në zbatimin e reformave që do të kenë ndikim pozitiv në jetën e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e tij të sotëm në rrjetin social X.
Rokas paraprakisht ishte ambasadori i BE-së dhe Shefi i Delegacionit të BE-së në Malajzi, një post që ai e ka mbajtur që nga dhjetori 2020.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, emëroi 44 kryetarë të rinj të delegacioneve të BE-së për rotacionin e ardhshëm diplomatik të delegacioneve të BE-së në mbarë botën.