Mimoza Musa me qëndrim të prerë: “Besimin e qytetarëve nuk do ta tradhtoj – ndryshimi ka nisur”
Deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Mimoza Musa, ka dalë me një deklaratë publike të fuqishme në një nga momentet më delikate dhe vendimtare për partinë që përfaqëson. Në kohën kur në Kumanovë zhvillohet një takim i thirrur nga Arben Taravari me një grusht aktivistësh, në përpjekje për të kamufluar krizën e thellë të brendshme dhe për të zbutur situatën e tij të pakëndshme politike dhe emocionale, Musa ka zgjedhur të flasë qartë dhe pa ekuivok.
Përmes një postimi drejtuar qytetarëve, deputetja Musa rikujton se më 8 maj 2023 fitoi besimin e mbi 107 mijë shqiptarëve si përfaqësuese e Aleancës për Shqiptarët, në kuadër të listës së përbashkët të koalicionit VLEN. Ajo thekson se ky mandat nuk është thjesht një numër parlamentar, por një përgjegjësi e madhe ndaj të gjithë atyre njerëzve që ka besuar në vizionin për ndryshim pas më shumë se dy dekadash pushtet të pandryshueshëm nga BDI.
“Sot, në një klimë politike të trazuar, dua të jem e qartë: Unë jam deputete e Aleancës për Shqiptarët. Besimin që ma dhatë nuk do ta tradhtoj. Nuk jam këtu për interesa personale, por për të përfaqësuar me dinjitet dhe përgjegjësi çdo qytetar që besoi në këtë mision,” shkruan ajo.
Qëndrimi i Musës vjen si një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj vendimit të njëanshëm të Taravarit për largimin nga koalicioni qeverisës, një lëvizje që është kundërshtuar nga shumica dërrmuese e strukturës partiake të ASH-së. Ajo lë të kuptohet se qëndrimi i saj mund të pasohet së shpejti nga deputetë të tjerë të partisë, të cilët ndajnë të njëjtat vlera dhe përgjegjësi politike.
Deklarata e Mimoza Musës konsiderohet si një akt i fortë politik, që jo vetëm shpreh guximin dhe integritetin e saj personal, por edhe vë në pah dallimin mes atyre që mbrojnë interesat e qytetarëve dhe atyre që veprojnë për interesa të ngushta personale.
Me këtë qëndrim, Musa po konfirmon rolin e saj si një zë i fuqishëm i përgjegjësisë brenda Aleancës për Shqiptarët, duke qëndruar besnike ndaj frymës dhe angazhimeve të koalicionit VLEN për një të ardhme ndryshe për shqiptarët në Maqedoni.