Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ka prezantuar një projekt strategjik për transformimin e plotë të Spitalit Klinik në Tetovë, i cili kap vlerën prej 4.56 miliardë denarësh (rreth 74 milionë euro).
Sipas tij, projekti do të realizohet sipas praktikave më të mira ndërkombëtare, përmes një modeli të kombinuar financimi nga buxheti shtetëror dhe institucionet financiare ndërkombëtare, duke siguruar qëndrueshmëri afatgjatë.
Aliu bëri të ditur se projekti parashikon renovimin dhe modernizimin e plotë të objekteve ekzistuese, pajisjen me teknologji dhe aparaturë moderne mjekësore, si dhe ndërlidhjen e tyre përmes korridoreve funksionale për të lehtësuar lëvizjen e pacientëve dhe stafit. Gjithashtu, do të ndërtohen dy objekte të reja moderne, ndërsa shërbimet do të riorganizohen në një sistem të integruar dhe efikas.
Ministri theksoi se synimi është krijimi i një qendre të re rajonale shëndetësore në Pollog, ku qytetarët do të kenë qasje në shërbime cilësore dhe në kohë, pranë vendbanimit të tyre.
Projekti përfshin edhe një komponent të rëndësishëm arsimor, në bashkëpunim me Universitetin e Tetovës, duke ofruar kushte moderne për trajnim dhe zhvillim profesional për studentët dhe stafin mjekësor.
Aliu e cilësoi këtë si një projekt madhor që synon të transformojë sistemin shëndetësor, duke kaluar nga infrastruktura e amortizuar në një sistem modern, funksional dhe të orientuar drejt së ardhmes.

