Ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi në kuadër të vizitës së tij në Ankara, Republika e Turqisë sot realizoi takim me ministrin e Tregtisë e Turqisë Omer Bollat.
Në takimin që u realizua në Ministrinë e Tregtisë në Ankara, është biseduar për marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike midis Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe zhvillimin dhe thellimin e këtyre marrëdhënieve.
Palët në këtë takim u përqendruan edhe në mundësitë për bashkëpunim mes dy vendeve, ndërsa u bë thirrje për rritjen e investimeve.
Ministri Durmishi në takim informoi se Republika e Turqisë është ndër partnerët tanë më të rëndësishëm tregtarë dhe vend që vazhdimisht investon në ekonominë maqedonase në sektorë të ndryshëm si partner strategjik investues.
“Të dhënat për shkëmbimin tregtar tregojnë se Republika e Turqisë vitin e kaluar është renditur në vendin e 7-të në listën e vendeve me të cilat Republika e Maqedonisë së Veriut realizon vëllimin më të madh të shkëmbimit tregtar. Shpresoj që në periudhën e ardhshme ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej”, tha në takim ministri Durmishi.
Të dy ministrat biseduan edhe për pjesëmarrjen më të madhe të ndërmarrjeve turke në projektet infrastrukturore dhe energjetike maqedonase në drejtim të rritjes së investimeve në Maqedoninë e Veriut.