Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka shprehur ngushëllime për humbjen tragjike të 32-vjeçarit Vedat Ademi nga Kumanova. Në një postim në rrjetet sociale, ai e cilësoi këtë një tjetër goditje të rëndë, teksa ende po përballet me pasojat e tragjedisë në Koçan.

“Në këto orë të trishta për të gjithë ne, një lajm i tmerrshëm më erdhi nga Kumanova.
Një djalit të ri i është ndërprerë jeta në kulmin e saj.
32-vjeçari quhej Vedat Ademi.
Jam në front të tragjedisë së Koçanit dhe zemra më është copëtuar këto ditë, dhe kjo e Vedatit ishte një goditje tjetër…
I shpreh ngushëllimet e mia familjes!
Ndjej dhimbjen e babës së tij, që e ka çuar djalin me këmbët e veta në spital!
Kuptoj revoltën e tij ndaj mjekut që dyshon se ka bërë lëshim mjekësor!
Kam udhëzuar një ekip ekspertësh nga Ministria e Shëndetësisë që të shqyrtojë faktet dhe, nëse kjo vërtetohet, kërkoj me insistim nga organet e drejtësisë të zbatojnë ligjin rreptësisht!
Pa asnjë lëshim, sepse gabimet po na marrin më të shtrenjtët tanë…” – ka shkruar Taravari.

Ministri siguroi se hetimet do të kryhen me seriozitet të plotë dhe theksoi rëndësinë e llogaridhënies në sistemin shëndetësor për të shmangur raste të tilla tragjike në të ardhmen.