Ministrja spanjolle e Mbrojtjes, Margarita Robles, tha të shtunën se konflikti në Gaza është një “gjenocid i vërtetë”

Kjo teksa marrëdhëniet midis Izraelit dhe Spanjës janë përkeqësuar pas vendimit të Madridit për të njohur një shtet palestinez.

Izraeli ka hedhur poshtë me forcë akuzat e bëra kundër tij nga Afrika e Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) se po kryen një gjenocid kundër palestinezëve, duke thënë se po bën luftë kundër grupit militant, Hamas, që sulmoi më 7 tetor.

Komenti i ministres spanjolle në një intervistë me televizionin shtetëror “TVE” i bëri jehonë një komenti të zëvendëskryeministres spanjolle, Yolanda Díaz, e cila në fillim të kësaj jave e përshkroi gjithashtu konfliktin e Gazës si gjenocid.

“Ne nuk mund të injorojmë atë që po ndodh në Gaza, që është një gjenocid i vërtetë”, tha Robles në intervistën, gjatë së cilës ajo diskutoi gjithashtu pushtimin rus të Ukrainës dhe konfliktet në Afrikë.

Reuters raporton se ajo tha gjithashtu se njohja e Palestinës nga Madridi nuk ishte një lëvizje kundër Izraelit, duke shtuar se ajo ishte krijuar për të ndihmuar në “fundimin e dhunës në Gaza”.

“Kjo nuk është kundër askujt, nuk është kundër shtetit izraelit, nuk është kundër izraelitëve, të cilët janë njerëz që ne i respektojmë”, tha ajo.

Spanja, së bashku me Irlandën dhe Norvegjinë, thanë këtë javë se do të njihte një shtet palestinez më 28 maj, duke shkaktuar një përgjigje të zemëruar nga Izraeli, i cili tha se ishte një “shpërblim për terrorizmin” dhe tërhoqi ambasadorët e tij nga tre kryeqytetet.