Derisa faktori politik në vend ka ashpërsuar retorikën rreth çështjes së gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, përdorimi i saj nga institucionet vazhdon të mbetet sfidë. Pavarësisht mburrjeve dhe lëvdatave për zyrtarizmin e gjuhës që e flasin mbi 20% e popullatës, nenet që pritet t’i shqyrtojë Gjykata Kushtetuese, ndër vite nuk janë zbatuar dhe të njëjtat kanë të bëjnë me procedurat gjyqësore, kartëmonedhat dhe uniformat.

Komisioni i Venecias, në tetor të vitit 2019-të, pasi u miratua Ligji i Gjuhëve në Kuvend, dha rekomandime që të hiqen dispozitat që urdhërojnë përdorimin e shqipes edhe në procedurat gjyqësore. Në fakt, shqipja në këto procedura asnjëherë nuk u përdor.

Paragrafi 1 i nenit 8 urdhëron që kartëmonedhat dhe monedhat të jenë përveç maqedonishtes edhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e popullatës, e që në këtë rast është shqipja. Por, edhe kjo asnjëherë nuk u zbatua.

Paragrafi 3 i po të njëjtit nen, urdhëron që edhe uniformat policore, të zjarrfikësve dhe shëndetësisë në Shkup dhe komunat ku së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase, të jenë të shkruara në maqedonisht dhe praktikisht në shqip.

Për këtë, në mars të vitit 2023 bëri bujë të madhe paralajmërimi i funksionarëve të BDI-së, të cilët me mburrje thanë se po zbatohen në praktikë ndryshimet e Dekretit për përdorimin e gjuhës shqipe në uniformat policore dhe simbolet e tyre që janë miratuar paraprakisht në seancë qeveritare. U lavdërua edhe Nazim Bushi i cili asokohe ushtronte detyrën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme. Shpërndau fotografi me logo të departamenteve dhe veturave policore, të cilat, siç mund të shihen, përveç në maqedonisht, janë edhe në shqip.

Bushi, vazhdoi të përdorë logon e përkthyer të Policisë nëpër publikimet, duke vënë theks në plotësimin e dekretit qeveritar. Por, në gusht të po atij viti, Bushi në Facebookun e tij shpërndan një konkurs për punësimin e 600 policëve. Siç mund ta shihni, uniformat e policëve janë vetëm në maqedonisht, ndërkaq Bushi me kompjuter ka mbivendosur logon e përkthyer të Policisë. Se nuk është respektuar shqipja në uniforma, dëshmon edhe rasti tjetër kur më 1 dhjetor të vitit 2023, Nazim Bushi dhe Oliver Spasovski vizitojnë Sektorin për Punë të Brendshme Shkup. Siç mund ta shihni, edhe këtu shqipja nuk përdoret as në uniformë e as në flamurin e policisë mbi tavolinë. Rasti më eklatant është i 27 prillit të vitit 2024, kur u promovuan 508 policë të rinj. Në ngjarje, ishte i pranishëm edhe kryeministri i parë shqiptar Talat Xhaferi . Por, siç mund ta shihni, 500 policët ishin të veshur me uniforma vetëm në maqedonisht.

Ligji, thotë se edhe uniformat e zjarrfikësve duhet të jenë në dy gjuhë, megjithatë kjo siç mund ta shihni në foto nuk respektohet, pikërisht nga Njësiti i Zjarrfikësve në Qytetin e Shkupit.

I tillë është edhe rasti me uniformat e Policisë Pyjore. Arjanit Hoxha në vitin 2021 në cilësinë e ministrit të Bujqësisë u lavdërua se ka furnizuar uniforma për nevojat e Policisë Pyjore pas plot 12 vitesh. Por, pavarësisht se ligji për Përdorimin e Gjuhëve hyri në fuqi në janar të vitit 2019, uniformat e Policisë Pyjore janë vetëm në gjuhën maqedonase. Hoxha, më pas sqaroi se mbishkrimet në uniformat në fjalë do të jenë konform Ligjit, dhe se të njëjtat në komunat me popullsi shqiptare mbi 20 përqind do të jenë në dy gjuhë. Megjithatë, situata duket se nuk ka ndryshuar. Në janar të vitit 2022 vjen në krye të ministrisë Lupço Nikolloski. Sipas një aktiviteti të Policisë Pyjore të Gostivarit me përfaqësuesit policor në korrik të vitit 2023, uniforma siç mund ta shihni edhe vetë është vetëm në maqedonisht. /Alsat.mk