Do të nevojiten nga gjashtë muaj deri në një vit për zbatimin e ndryshimeve ligjore që do t’u mundësojnë zyrtarëve policorë të pranojnë letërnjoftimet dhe patentë-shoferët digjitalë, njoftoi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.
Aktualisht po përcaktohen dispozitat ligjore që duhet të ndryshohen, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme po punon për sigurimin e kushteve teknike në automjetet e reja policore, në mënyrë që të mund të verifikohen dokumentet elektronike.
Andonovski theksoi se deri më tani janë ndryshuar 140 ligje që lidhen me pranimin e dokumenteve elektronike dhe se e njëjta qasje do të zbatohet edhe në këtë proces. Gjithashtu, nevojiten ndryshime në aktet nënligjore që përcaktojnë formën e letërnjoftimeve dhe patentë-shoferëve.
Dokumentet digjitale pritet të pranohen gradualisht edhe në sektorin privat, përfshirë bankat, supermarketet, objektet e gastronomisë dhe kompanitë e sigurimeve.
Sipas ministrit, me sektorin bankar tashmë po zhvillohen bisedime për rregullativën që kërkon ruajtjen e fotokopjeve të dokumenteve personale gjatë përditësimit të të dhënave të klientëve.
Si shembull, Andonovski përmendi Poloninë, ku portofoli digjital u prezantua në vitin 2019, ndërsa policia filloi t’i pranonte dokumentet elektronike në vitin 2021.
Andonovski shtoi se aplikacioni mobil „m.uslugi“ (m.Shërbime), i promovuar nga ministria, mundëson qasje digjitale në shërbimet publike dhe dokumentet elektronike.
Aplikacioni është falas dhe përdorimi i tij është vullnetar, ndërsa nuk i zëvendëson sportelet tradicionale.

