Në Klinikën për Ortopedi në 24 orët e fundit është kryer transplantimi i dytë i suksesshëm me kockë nga një donator i vdekur, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Transplanti i është kryer një pacienti 19-të vjeçar për korrigjimin e një deformimi në shputën e këmbës si rezultat i paralizës cerebrale.

“Në të kaluarën korrigjimi i deformiteteve është bërë me përdorimin e një pjese të kockë të jashtme të kërcit, e cila është marrë nga pacienti. Me këtë rast është paraqitur defekt që është korrigjuar vështirë. Me përdorimin e kockës së kufomës, procedura kirurgjikale zgjat shumë më pak dhe nuk lë defekt në ndonjë vend tjetër te pacienti dhe korrigjimi është shumë më i qëndrueshëm”, thuhet në komunikatë.

Ekipin që e ka kryer transplantimin e ka kryesuar prof. D-r. Zoran Bozhinovski me anesteziologen D-r. Liljana Angelleska dhe asistentët Teodora Bozhinovska dhe Kristina Jordanovska, së bashku me personelin e mesëm mjekësor Mençe Dojçinovska dhe Olivera Llazarevska.

“Ekspertiza dhe profesionalizmi mbeten impeativi ynë dhe jemi fuqishëm të fokusuar në metoda dhe procedura të reja në transplantim”, thotë pr.dr. Biljana Kuzmanovska, koordinatore nacionale për transplant.