Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot në fjalën e tij me rastin e pesëvjetorit të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, në takimin e punës me ambasadorët e vendeve anëtare dhe partnerët e Aleancës edhe një herë shprehu mirënjohjen e tij të madhe për ndihmën e ofruar, për kujdesin ndaj pacientëve të rinj që pësuan në fatkeqësinë në Koçan, ku humbën jetën 59 të rinj, ndërsa mbi njëqind u lënduan.

“Përgjigja juaj e shpejtë tregoi forcën e solidaritetit, që është karakteristika kryesore e aleancës sonë dhe që në këtë rast u demonstrua me gjithë zemër. Ky rast edhe një herë tregoi peshën e solidaritetit të cilin ne duhet ta kultivojmë plotësisht dhe bashkërisht si shtyllën tonë kryesore në marrëdhëniet tona. Ju falënderojmë edhe një herë për gjithë mbështetjen dhe ngushëllimet në një nga momentet më të vështira për vendin tonë”, ka thënë Mucunski.

Ai informoi mbi angazhimin e Qeverisë për hetim të plotë të kësaj tragjedie.

“Nga ana jonë, si Qeveri, po ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për hetim të plotë të rastit, duke përfshirë edhe sjelljen e të gjithë personave të involvuar në këtë tragjedi para organeve të drejtësisë. Si Qeveri jemi të vendosur të luftojmë me vendosmëri korrupsionin dhe të gjitha dukuritë devijuese që si qëllim kanë dobësimin dhe çrregullimin e sistemit tonë. Këtë nuk do ta lejojmë. Qëllimi ynë është të forcojmë besimin dhe të avancojmë funksionalitetin e sistemit ku qytetarët do të kenë besim të plotë”, ka thënë Mucunski në fjalimin e tij para ambasadorëve të vendeve anëtare dhe partnerëve të Aleancës.