Kodi i ri Penal është ende në pritje të dritës jeshile nga Komisioni Evropian dhe deri atëherë është paralajmëruar se do të gjendet një mekanizëm për ndryshimet e diskutueshme të Kodit Penal vitin e kaluar, kur pushteti ishte në duart e LSDM-së dhe BDI-së, me çka u ulën dënimet për vepra penale si shpërdorimi i pozitës dhe kompetencave zyrtare dhe bashkim kriminal. Ministri i ri i Drejtësisë, Igor Filkov, në fund të korrikut tha se tentohet përmes grupeve punuese që të bëhen ndryshime në ligjin ekzistues për të riparuar dëmet e shkaktuara nga ndryshimet e vitit të kaluar, por tre muaj më vonë nuk ka zgjidhje.
“Ende po punohet për zgjidhje të përshtatshme me të cilën do të kthehen ndryshimet ligjore, por në të njëjtën kohë për të ruajtur ndëshkueshmëria dhe për të mos lejuar që ai që ka shkaktuar dëm, për shkak të këtyre ndryshimeve të diskutueshme, të kursehet apo të marrë dënim minimal për dëm të madh. Ne duam të gjejmë zgjidhje që nuk do të bie ndesh me aktet ligjore, sepse aktualisht Ligji nuk e lejon të zbatohet në mënyrë retroaktive, por megjithatë askush nuk do të kursehet apo nuk do të mbetet i pandëshkuar”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Me ndryshimet e fundit në Ligjin për procedurë penale, deputetët ulën dënimet e parapara për këto dy vepra, vendosën kufirin e lartë të dënimit maksimal dhe hoqën një paragraf nga neni për keqpërdorim të pozitës dhe kompetencave zyrtare. Me këtë, parashikuan vjetërsimin e veprave më herët. Për shembull, për veprën penale bashkim kriminal, dënimet me burg nga një deri në dhjetë vjet u reduktuan në një afat kohor nga gjashtë muaj deri në pesë vjet. Kodi i ri penal është përgatitur nga grupi punues i ekspertëve i udhëhequr nga profesori universitar Vllado Kambovski kurse pritet të kthehet vepra e keqpërdorimit të pozitës zyrtare gjatë prokurimit publik, e cila si rezultat i fshirjes së një paragrafi nga neni 353 në ndryshimet e diskutueshme të vitit të kaluar, tani nuk i nënshtrohen përgjegjësisë penale./Alsat.mk