Nga Latif Arifi
Teksa e dëgjoja fjalimin e “Fruktologut” Halil Snopçe në seancën e sotme të Kuvendit, nuk kisha ndërmend të reagoj. Por kur një njeri që pretendon të jetë profesor, deputet dhe përfaqësues i popullit, përdor një fjalor të ulët dhe grotesk, nuk mund të hesht.
Z. Snopçe, para se të flisni për “fryte të kalbura”, më mirë shikoni degën ku jeni varur! Ajo është tharë nga pesticidet e klientelizmit, nepotizmit dhe arrogancës suaj. Ju vetë jeni shembulli më tipik i një fruti të kalbur që është rritur jo me mund, por me plehun e shoqërisë së vjetër me Arben Taravarin. Frytet e Aleancës për Shqiptarët i keni shijuar me dorë plot që ditën e parë, pa dhënë asnjë kontribut real, e këtë e di çdo anëtar i kësaj partie.
Ju sot bëtë “analiza” për maska kirurgjikale, por harruat të hiqni maskën tuaj të vërtetë, atë të hipokrizisë dhe nepotizmit. Sepse, ndërsa denonconi me zë të lartë një ministër për një maskë, në prapaskenë kujdeseni me përpikëri që djali i kunatit të punësohet në inteligjencë financiare, një tjetër mik në Këshillin Programor, e kështu me radhë. A është kjo ajo fytyra e moralit që doni t’i impononi opinionit publik?
Po ajo anëtarja e thjeshtë e Aleancës, që nuk pati asnjëherë përkrahjen tuaj për një vend pune të merituar? U harrua fare. Sepse te ju, parimi është i thjeshtë: për miqtë dhe familjarët ka vende, për të tjerët, vetëm fjalë.
Ju, z. Halili, që sot u përpoqët të luani rolin e kopshtarit moral të politikës shqiptare, jeni në fakt ai fruti toksik që helmoi degët e shëndetshme të pemës sonë të përbashkët. Ju menduat se të gjitha frytet duhet t’i merrnit vetë, duke filluar nga bashkëshortja e punësuar në sektorin arsimor të Gostivarit, e deri tek çdo vend tjetër që e keni trajtuar si pronë private.
Për më tepër, jeni bërë turpi i Gostivarit, sepse një qytet që ka nxjerrë figura të ndritura, nuk e meriton të përfaqësohet nga dikush që ngatërron foltoren e Kuvendit me pazarin e mëhallës.
Thirrja ime është e qartë:
Nëse keni ende ndopak dinjitet politik dhe etikë publike, kërkoni falje për këtë farsë morale që e keni shndërruar në stil politik. Përndryshe, heshtni. Sepse për çdo fjalë që shtoni, e thelloni më tej hendekun mes jush dhe realitetit të qytetarëve që pretendoni t’i përfaqësoni.