Norvegjia dërgoi 76 automjete ushtarake në Maqedoni. Gjithsej 40 kamionë dhe 36 mjete të lehta këmbësorie janë ngarkuar dje nga porti i Orkangerit dhe do të transportohen me anije për në Selanik, njofton Ambasada norvegjeze, transmeton Portalb.mk.

Me donacionin e shpallur në shtator të vitit të kaluar, siç njoftuan nga Ambasada e Norvegjisë, do të pajiset një batalion i lehtë këmbësorie.

“Donacioni simbolizon rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit të NATO-s ndërmjet vendeve anëtare. Aftësia e aleancës për t’iu përgjigjur një krize ose konflikti varet nga forca dhe solidariteti i të gjitha vendeve anëtare, jo vetëm nga një komb. Më 4 prill të këtij viti, aleanca NATO mbush 75 vjet. Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s në vitin 2020 dhe Norvegjia ka qenë anëtare e NATO-s që nga formimi i aleancës në vitin 1949. Të dyja vendet kanë një histori të gjatë të bashkëpunimit dypalësh dhe me hyrjen e Maqedonisë së Veriut në Aleancë në vitin 2020, bashkëpunimi është bërë edhe më i fortë”, thuhet në deklaratën e Ambasadës norvegjeze.

Donacioni, siç thonë nga ambasada, është edhe donacion indirekt për Ukrainën, sepse Maqedonia më parë i ka dhuruar Ukrainës një sasi të konsiderueshme pajisjesh. “Me donacionin norvegjez, Maqedonia do të mund të plotësojë një pjesë të pajisjeve që u dhanë”, theksojnë nga ambasada e Norvegjisë.

Kujtojmë se Ministria e Mbrojtjes, për nevojat e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të blejë tetë helikopterë nga prodhuesi italian “Leonardo Helicopters”, për të cilët do të paguajë 230 milionë euro. Pagesa do të bëhet në katër këste, ndërsa i pari do të paguhet këtë vit dhe është në vlerë prej 16 për qind nga vlera e përgjithshme e blerjes. Kjo blerje, megjithatë është vënë në shënjestër të Komisionit për Antikorrupsion.