Lidhja Europiane për Ndryshim, pjesë e së cilës është Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa e Alternativa, në Kuvend do të veprojnë të bashkuar si një grup parlamentar. Koordinatore e këtij grupi në Kuvend është zgjedhur Safije Sadiki Shaini ndërsa zëvendësja e saj u zgjodh Merita Kollçi Koxhaxhiku. E duke qenë se po veprojnë si opozitë, ata tani kërkojnë edhe përfaqësuesin e tyre në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, meqenëse vendi i opozitës u lirua që nga largimi i Krenar Llogës dhe emërimi i tij si ministër.
“I bëjmë thirrje edhe njëherë kryetarit të z.Talat Xhaferi të mos e zvarrisë zgjedhjen e anëtarit të KSHZ-së që i takon opozitës, sepse kjo e bënë bashkëfajtor për mos respektimin e Kodit Zgjedhor”, tha Afrim Gashi – Kryetar I Alternativës.
Në Kuvend tanimë është hapur thirrja për anëtar në KSHZ ndërsa siç kanë njoftuar paraprakisht nga opozita, kandidat i tyre për atë vend është Abdush Demiri nga Lëvizja Besa. Ky propozim pas mbylljes së konkursit, duhet të vërtetohet nga Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime në Kuvend, ndërsa i njëjti komision më pas e kalon propozimin në Kuvend, me çka duhet të miratohet me 2/3 e votave apo 80 deputetë. Kreu i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti ka dyshime se zgjedhjet e ardhshme parlamentare mund të manipulohen duke patur parasysh se siç thotë, po bëhen tentime që të mos i kalojë ky vend i anëtarit opozitës shqiptare.
“Çfarë fronti europian, çfarë vlera europiane janë këto kur i mundësohet opozita maqedone të ketë tre anëtarë në KSHZ dhe nuk paska të drejtë ta ketë opozita shqiptare një anëtar? Kjo tregon se këta nuk e kanë mendjen as te interest strategjike të shtetit, as te vlerat europiane, as te fronti europian por prej tash kanë filluar me tendencën për manipulim të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”, pohoi Izet Mexhiti – Kryetar i LD-së.
Ndërkohë para pak ditësh kreu i Kuvendit Talat Xhaferi, tha se nuk mund t’ia definojë opozitës shqiptare nëse i takon një vend në KSHZ. Këtë interpretim juridik tha se duhet ta jep KSHZ-ja.
“Nëse ka dilema që nuk mund të japin, ka procedurë të caktuar në Parlament. Çdo njëri deputet mund të iniciojë interpretim autentik të normave ligjore dhe aty të definohet çka është çka. Nuk më takon mua që unë të përcaktojë kujt çka dhe si i takon, ka procedura, ka rregulla, ka ligje. Le t’i lexojnë ligjet, le t’i zbatojnë ligjet. Atë që do ta kem për propozim, do të jetë në rend dite”, deklaroi Talat Xhaferi, kryetari i Kuvendit.
Deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli, në konferencë përmendi edhe vërejtjet e OSBE-së nga zgjedhjet e kaluara, e të cilat thotë se nuk janë përmirësuar nga Qeveria, gjë e cila sipas Zendelit, është përmendur edhe në raportin e fundit të KE-së.