Organizatat qytetare u bëjnë thirrje të gjithë deputetëve që të mos i mbështesin ndryshimet e propozuara të Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat zbavitëse, me të cilat nga zgjidhja ligjore fshihen organizatat qytetare, organizatat nacionale të personave me aftësi të kufizuara dhe Kryqi i Kuq si organizata të qarta të njohura që mund të marrin mjete për punë me kategori të cenueshme, transmeton Portalb.mk.
“Ky nuk është vetëm një ndryshim teknik. Ky është precedent serioz që mund të ketë pasoja afatgjata për shoqërinë civile, mbrojtjen e kategorive të cenueshme dhe demokracinë në Maqedoninë e Veriut. Për dekada me radhë, organizatat qytetare ofrojnë mbështetje direkte për persona me aftësi të kufizuara, viktima të dhunës familjare dhe të bazuar në gjini, të moshuar dhe të pafuqishëm, fëmijë, të rinj, gra, romë dhe persona dhe komunitete të tjera në gjendje të cenueshme. Ato punojnë në terren, në komunitete, në këshillimore, qendra ditore, qendra strehuese dhe shërbime të tjera ku qytetarët kanë më së shumti nevojë për mbështetje”, thuhet në reagim.
Me ndryshimet e propozuara, shtojnë ata, hapet rreziku që mjetet e dedikuara për kategoritë e cenueshme të shpërndahen pa kritere të qarta, transparente dhe të përgjegjshme, pa garanci se do të arrijnë te organizatat që kanë përvojë, ekspertizë, shërbime të licencuara dhe punë direkte me qytetarët.
“Nëse ekzistojnë dobësi në sistemin aktual të shpërndarjes së mjeteve, zgjidhja nuk është fshirja e organizatave qytetare nga ligji. Zgjidhja është një sistem më i mirë, më transparent dhe më i përgjegjshëm: thirrje publike, kritere të qarta, vlerësim i pavarur, monitorim i rregullt dhe publikim i rezultateve të programeve të financuara. Prandaj, u bëjmë thirrje deputetëve që të kërkojnë shpjegim të qartë dhe publik nga propozuesit e ligjit: cila është arsyeja që organizatat qytetare, organizatat nacionale të personave me aftësi të kufizuara dhe Kryqi i Kuq të fshihen nga zgjidhja ligjore?”, pyesin ata.
fshirja e sektorit civil nga ligjet është një sinjal i rrezikshëm.
“Kjo hap pyetjen nëse në Maqedoninë e Veriut po shfaqen praktika që e ngushtojnë hapësirën për veprim qytetar dhe e largojnë vendin nga standardet demokratike dhe rruga evropiane. Shtetet demokratike nuk e përjashtojnë shoqërinë civile nga sistemi. Përkundrazi, ato e njohin si partner, korrigjues dhe bartës të shërbimeve për qytetarët. Rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut nënkupton transparencë, debat publik, pjesëmarrje të qytetarëve në krijimin e politikave dhe mbrojtje të veprimit të pavarur qytetar. Deputetët kanë përgjegjësi jo vetëm të votojnë tekste ligjore, por edhe të mbrojnë demokracinë, interesin publik dhe të drejtat e qytetarëve që varen më së shumti nga mbështetja”, thuhet në reagim.
Prandaj ata kërkojnë nga deputetët:
Të mos i mbështesin ndryshimet e propozuara në këtë formë.
Të kërkojnë tërheqjen ose ndryshimin e tekstit të propozuar, në mënyrë që organizatat qytetare, organizatat nacionale të personave me aftësi të kufizuara dhe Kryqi i Kuq të mbeten të njohura qartë në ligj si organizata që mund të marrin dhe zbatojnë mjete të dedikuara për kategori të cenueshme.
Të organizojnë debat publik dhe konsultime me organizatat qytetare, rrjetet, organizatat nacionale të personave me aftësi të kufizuara, organizatat që punojnë me viktima të dhunës, Kryqin e Kuq dhe palët e tjera relevante.
Të angazhohen për një mekanizëm transparent dhe të përgjegjshëm për shpërndarjen e mjeteve, të bazuar në thirrje publike, kritere të qarta, ekspertizë të dëshmuar, cilësi të shërbimeve dhe nevojat reale të qytetarëve.
Pjesë e kësaj thirrjeje janë Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi, Platforma për Barazi Gjinore, Platforma kundër varfërisë, Rrjeti Nacional kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 12 maj e miratoi propozim Ligjin për dislokimin e kazinove nga institucionet arsimore në 500 metra largësi. Sipas procedurës, ligji duhet të votohet në Kuvend në periudhën që vjen.

