Me intonimin e himnit shtetëror dhe kombëtar dhe një minutë heshtje për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës ka nisur seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, në nder të 25 vjetorit të çlirimit nga forcat pushtuese serbe, ku pjesëmarrës ishin edhe personalitete dhe figura të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se më 12 qershor 1999 forcat e NATO-s sollën dritë shprese për Kosovën, duke shpëtuar popullin nga shfarosja që synonte regjimi serb i Millosheviqit.
Ajo nënvizoi se NATO në vitin 1999 dha mbështetjen vendimtare për lirinë e Kosovës, andaj sot, 25 vjet pas çlirimit, Kosova synon dhe meriton anëtarësimin e plotë në këtë aleancë ushtarake.
Osmani: NATO në qershor të vitit 1999 solli dritë shprese për Kosovën
“Më 12 qershor 1999, ku forcat e NATO-s shkelen në tokën tonë, ata nuk ishin vetëm ushtarë, por ata ishin shpëtimtarë. Ata sollën me vete premtimin e lirisë. Sigurinë se bota nuk kishte harruar për popullin e Kosovës dhe vendosmërinë për t’i dhënë fund mizorive të kryera kundër popullit tonë. Hyrja e NATO-s në Kosovë ishte një dëshmi e fuqisë së solidaritetit ndërkombëtar dhe besimit të palëkundur në të drejtën universale të një populli për të qenë i lirë. Liria është më shumë sesa fjalë. Liria është vet thelbi i qenies sonë. Është ajri që e thithim, është ëndrra që guxuam të ëndërrojmë dhe është e ardhmja që aspiruan dhe për të cilin luftuan dhe dhanë jetën çlirimtarët tanë. Çlirimi i Kosovës nuk ishte thjesht një fitore ushtarake por ishte mbi të gjitha triumf i shpirtit njerëzor mbi tiraninë. Ishte triumf i të mirës ndaj të keqes dhe triumf i drejtësisë mbi shtypjen”, tha ajo.
Osmani përmendi siç tha rezistencën e ish presidentit Ibrahim Rugova, heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari dhe tërë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët u shndërruan në gurë themel të lirisë së Kosovës.
Osmani: Kujtojmë rezistencën e presidentit Rugova për liri dhe heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari
“Në këtë ditë do të kujtojmë rezistencën këmbëngulëse të presidentit Rugova për liri, pavarësi dhe demokraci. Si dhe aleancat e fuqishme që ai ndërtoi së bashku me shumë e shumë veprimtar të tjerë të cilat i gëzojmë edhe sot. Do të kujtojmë çdo ditë të jetës sonë por edhe brezat që vijnë pas nesh heroizmin e papërsëritshëm të komandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë familjes Jashari të cilët u shndërruan në gurë themelin e lirisë që e gëzojmë sot. Do të jetojmë përherë me kujtimin e të gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbi 13 mijë të vrarë gjatë luftës në mesin e të cilëve 1133 fëmijë të vrarë vetëm në luftën e fundit në Kosovë”, shtoi Osmani.
Presidentja Osmani theksoi edhe partneritetin dhe aleancat me shtetet mike të Kosovës, për të cilat tha se duhet mirëmbajtur dhe mos të merren si të mirëqena.
Osmani: Partneriteti dhe aleancat me vendet mike duhet mirëmbajtur çdo herë
“Aleancat dhe partneritetet me shtetet janë po aq determinuese për të garantuar dhe mirëmbajtur lirinë e fituar duke mos e marrë asnjëherë si të mirëqenë. Prandaj sot derisa nderojmë ushtarët e NATO-s që kontribuuan këto 25 vite, nderojmë mbi të gjitha stoicizmin e popullit tonë dhe Ushtrinë tonë çlirimtare me bindjen tonë se liria nuk është dhuratë por është paguar çmimi më i lartë që mund të paguajë një popull…NATO në vitin 1999 na dha mbështetjen vendimtare për lirinë tonë, andaj sot synojmë dhe meritojmë anëtarësimin në këtë organizatë ushtarake, me ushtrinë tonë që është e gatshme të bëhet kontribuuese për paqe kudo në glob”, theksoi Osmani.
Kosova shënon ditën e çlirimit ku 25 vjet më parë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara. E gjatë gjithë këtyre viteve, institucionet tona nuk kanë zyrtarizuar si festë zyrtare shtetërore.