Kryeministri Hristijan Mickoski, i ashpër në qëndrimin e tij, drejtoi gishtin e fajësimit për zhvillimet e mbrëmshme te ish funksionarë, pa përmendur emra. Ai tha se veprimet janë të një grupi i vogël, të izoluar dhe të manipuluar.

“Kjo është diçka për të cilën ne paralajmëruam se do të ndodhë, se kështu lloj të përpjekjes për eskalim të situatës dhe krijim të tensioneve etnike do të ketë, do të ketë edhe në të ardhmen. Nëse mendoni se ky do të jetë rast i izoluar, nuk do të jetë. Ashtu si drejtësia ngadalë por sigurt afrohet të kriminelat dhe troket në dyert e tyre, ashtu ata bëhen me nervozë, më të padurueshëm dhe mënyra e vetme për ta mbrojtur kapitalin e fituar kriminal është pikërisht kjo, me manipulime dhe nxitje të incidenteve të këtilla. Ky është një grup i vogël i izoluar dhe i manipuluar nga ata që i mbrojnë milionat e tyre kurse ata që janë viktima potencial të këtyre kriminelëve dhe dhunuesve politik dua t’i paralajmëroj se nuk do të kemi mëshirë ndaj askujt”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.

VLEN ftuan qytetarët të mos bien pre e provokimeve, siç i quajtën ata, dashakeqe kurse veprimet i quajtën të nxitura. Kreu i Kuvendit Afrim Gashi bëri thirrje për respektim të ndërsjell të ndjenjave kombëtare.

“Duke i respektuar flamujt tonë mund të shfaqim ndjenja të patriotizmit por duke denigruar ose duke shkelur apo djegur flamuj të tjerë, kjo flet keq për secilin njeri që e bën një veprim të tillë. Unë jam kundër. Unë mendoj se secili njeri që e bën një veprim të tillë vepron në kundërshtim me interesat e këtij shteti dhe me interesat kombëtare qoftë shqiptare, qoftë maqedonase ose të komuniteteve tjera”, u shpreh Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.

Pasi VMRO-DPMNE-ja i akuzoi drejtpërdrejtë për nxitjen e grupeve të caktuara gjatë ditës së djeshme,, BDI-ja për zhvillimet, fajësoi veprimet e pushtetit gjatë muajve të fundit.

“Është gabim nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme që u ndalohet qytetarëve që të festojnë në sheshe, në veçanti në sheshin e qytetit të Shkupit por kishim raste edhe në sheshin e qytetit të Kumanovës dhe si refleksion i veprimeve të tilla, qytetarë të ndryshëm me akte individuale kanë bërë gabime sa i përket flamurit të shtetit por jo vetëm, si hakmarrje kanë ndodhur edhe akte ndaj flamurit kombëtar të shqiptarëve. Deklarata, veprime, nga ana e qeveritarve për polarizimin e çështjeve në vend por edhe për përçarjen ndëretnike të cilën e bëjnë në veçanti në muajt paraprak na sjellin në situata të tilla”, u shpreh Kreshnik Bekteshi, BDI.

LSDM-ja kërkoi dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Pançe Toshkovski dhe shkarkimin e drejtorit të Byrosë për Siguri Publike Aleksandar Janev.

“Fakt është se Toshkovski dhe MPB-ja ishin tërësisht të habitur nga ajo që ndodhi dje, pa qenë aspak faktorë stabiliteti në ato momente kritike. Mund të ndodhte lehtë që të kishte edhe viktima kurse e gjitha mund të parandalohej nëse MPB-ja kishte informacione në kohë dhe vepronte në mënyrë parandaluese”, tha Martin Kostovski, LSDM.

I ashpër në reagimin e tij, ishte kreu i ZNAM-it Maksim Dimitrievski.

“Fatkeqësisht, ajo që pamë sot në shumë vende, përfshirë edhe në Kumanovën time, veçanërisht vandalizmi i individëve dhe grupeve, mosrespektimi i ligjit për përdorimin e flamujve nga institucionet dhe organet, dhe shkatërrimi dhe përdhosja e flamurit të shtetit dhe të Maqedonisë tonë, është për çdo dënim. Pas kësaj sot po vihet në provë kapaciteti ynë multietnik, është një dëshirë e sinqertë apo thjesht një farsë? Unë jam për një shoqëri të vërtetë multietnike në të cilën të gjithë do të respektojmë njëri-tjetrin me të drejta dhe detyrime të barabarta dhe ku të gjithë janë njësoj para ligjit. Të shkelësh dhe të grisësh, të shkatërrosh flamurin e një vendi që të ngriti, të edukoi, pagoi dhe paguan, investon në ty është krim dhe duhet të mbash përgjegjësi”, deklaroi Maksim Dimitrievski, kryetar i Komunës së Kumanovës.

Për zhvillimet e djeshme reaguan edhe parti të tjera, Aleanca për Shqiptarët, PLD-ja dhe E Majta. /Alsat.mk