Pas publikimit në media të detajeve rreth përbërjes së kabinetit të ardhshëm Mickoski I i përbërë nga VMRO-VLEN-ZNAM, një sërë portalesh kanë shpërndarë lajme të pabazuara në fakte se gjoja përfaqësimi i partive politike shqiptare në pushtet është më i dobëti gjatë këtyre 20 viteve të fundit.
Çka është e vërteta, në kuadër të pushtetit të ri, Koalicioni VLEN, përpos pozitës së Kryeparlamentarit, do të ketë dy pozita Zëvendës-Kryeminstri, përfshirë Zëvendës-Kryeminstrin e parë dhe atë për Qeverisje të Mirë, si dhe 5 ministri edhe atë: Shëndetësinë, Ekonominë, Politikën Sociale, Ekologjinë, si dhe Eurointegrimet.
Në fakt, shumë media kanë rënë pre e mungesës së informimit ngase për herë të parë, me ligjin e ri për për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore i cili pritet të miratohet në javën e parë të qërshorit, Sekretariati për Çështje Evropiane do të avancohet në Ministri fuqiplotë.
Ky përfaqësim në të vërtetë është dukshëm më i mirë se ai që kishin BDI dhe PDSH në bashkëqeverisje me VMRO-në në kabinetet suksesive Gruevski (2006-2015), ku partitë shqiptare nuk e kishin bartur asnjëherë pozitën e Kryeparlamentarit, ndërsa në raste të caktuara kishin vetëm një Zëvendës-Kryeminstër, dhe 4 deri në maksimum 5 ministri.
Në kabinetin Gruevski V (19/06/2014 – 10/11/2015), BDI kishte arritur përfaqësimin më të mirë në bashkëqeverisjen me Gruevskin, me dy Zëvendës-Kryeminstra, 5 ministri dhe një pozitë ministri pa resor shtesë, por që është përsëri nën nivelin e përfaqësimit të VLEN-it për shkak të mungesës së pozitës së Kryeparlamentarit.
Përfaqësimi i koalicionit VLEN në fakt, është në mesataren e qeverisjes Zaev. Nëse lihet anash pozita e Ramiz Merkos si Ministër pa portofol në Kabinetin e parë Zaev SDSM-BDI-ASH, përfaqësimi i koalicionit VLEN është identik me këtë të fundit: Kryeparlamentari, dy Zëvendës-Kryeminstra dhe 5 ministri. Madje, për nga pesha politike, gjendja ishte më keq në Kabinetin e fundit Zaev (2021), ku BDI kishte Kryeparlamentarin dhe 6 ministri, por vetëm një Zëvendës-Kryeminstër.
Në këto dy dekada, përfaqësimi shqiptar në pushtet në fakt ka qenë më i mirë se hisja që do ketë VLEN në pushtetin e ri, vetëm gjatë qeverisjes Kovaçevski (2022-2024), i cili në fakt ishte një Kryeministër pa legjitimitet politik, një ushtrues detyre pas dorëheqjes së Zaevit, i cili e kishte hallin e blerjes së kohës deri në zgjedhjet e ardhshmë duke shpresuar në ndonjë mrekulli që do e shpëtonte partinë e tij nga falimentimi i sigurt.
Në rrethana të tilla të jashtëzakonshme, Kovaçevski u tregua dorëlirë ngase mbijetesa e tij politike varej nga kompromiset që ai i bënte përballë partive shqiptare, të gjitha pa përjashtim, gjë që rezultoi me një ekzekutiv ku kishte deri në 8 ministra shqiptarë.
I madh e i vogël e kanë të qartë që këto rrethana të jashtëzakonshmë vështirë se mund të përsëriten në të ardhmen e parashikueshme.