Presidenti amerikan Joe Biden zhvilloi këtë javë një takim me kryeministrin e Japonisë dhe presidentin e Filipineve në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar sigurinë në rajonin e Indo-Paqësorit. Qasja e Presidentit Biden ndaj politikave të sigurisë dallon nga ajo e paraardhësit të tij dhe rivalit të tij të pritshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, Donald Trump.

Këtë javë, Presidenti Biden zhvilloi një takim dypalësh dhe shtroi një darkë shtetërore për kryeministrin japonez Fumio Kishida.

“Ne jemi sërish krah për krah me aleatët tanë, sepse aleancat janë pasuria më e madhe e Amerikës”, tha ai.

Presidenti e ktheu partneritetin dypalësh në një aleancë trepalëshe një ditë më vonë, duke përfshirë në një takim të përbashkët me kryeministrin Kishida edhe presidentin e Filipineve Ferdinand Marcos Jr.

Temë qendrore e takimeve të kësaj jave ishte siguria në detin të Kinës Jugore, në të cilat u njoftua krijimi i një sistemi të përbashkët të mbrojtjes ajrore. Aleanca synon të frenojë Kinën, por Presidenti Biden nuk e tha këtë haptazi.

“Gjërat që diskutuam sot përmirësojnë bashkëpunimin tonë dhe kanë të bëjnë thjesht me mbrojtjen dhe gatishmërinë tonë. Diskutimet nuk kishin në shënjestër asnjë vend apo kërcënim të rajonit dhe nuk kanë të bëjnë fare me konfliktin.”

Samiti trepalësh i organizuar nga Presidenti Biden pasqyron qasjen e tij për të punuar me një rrjet aleancash me vendet me qëndrime të ngjashme.

Ky është në kontrast me paraardhësin e tij, Presidentin Donald Trump, i cili ndiqte strategjinë “Amerika e Para” dhe përparësi kishte marrëdhëniet personale me udhëheqësit e huaj në vend të aleancave dhe traktateve.

Kjo ishte strategjia e presidentit Donald Trump në vitin 2017, kur priti kryeministrin japonez Shinzo Abe në Shtëpinë e Bardhë.