Procedura për vlerësimin e kushtetutshmërisë së mekanizmit të balancuesit ka përplasur partitë politike. Fronti Evropian ka akuzuar Qeverinë me në krye Hristijan Mickoskin se po majorizon shqiptarët, ndërsa me ndihmën e VLEN por realizon programin qeverisës për abrogimin e balancuesit e më pas edhe të badenterit.

“Kjo duhet t’i shqetësoj të gjithë qytetarët sepse nuk është vetëm vendim i Gjykatës Kushtetuese por është paralajmërim politik i kryeministrit Hristijan Mickoski që para një viti kur diskutohej për ndryshimet kushtetuese dhe kur u hap tema për definimin e gjuhës shqipe kishte paralajmëruar se do të hiqet badenteri dhe balancuesi”, tha Ziadin Sela, Deputet i Frontit Evropian.

LSDM-ja thotë se nuk ndërhynë në punën e Gjykatës Kushtetuese, por kërkon që Hristijan Mickoski dhe Maksim Dimitrievski të realizojnë premtimin e tyre parazgjedhor.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të hapte dyert për Mickoskin që të gjen model meritave duke respektuar edhe përkatësinë etnike. Mickoski dhe Dimitrievski gjithë kampanjën zgjedhore kanë premtuar sistem meritor, tani topi është në anën e tyre”, thonë nga LSDM.

VLEN akuzon formatin e Gjykatës Kushtetues. Sipas tyre të gjithë gjykatësit janë zgjedhur me mbështetjen dhe votat e BDI-së. Sipas tyre, po punohet për një zgjidhje të re ligjore.

“Duam ta njoftojmë opinionin se të gjithë gjykatësit, pa përjashtim ose çfarëdo përkatësie, janë zgjedhur me votat e BDI-së në mandatet e mëparshme. BDI-ja ka mbështetur të gjithë ata që kanë nisur procedurat kundër të ashtuquajturit balancues. VLEN tashmë po punon për zgjidhjen e problemit të përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në institucione, por në mënyrë adekuate të sistemuar dhe të kodifikuar. VLEN do ta zgjidhë këtë problem me një ligj të ri, që tashmë është në proces të përgatitjes”, theksojnë nga Koalicioni VLEN.

VMRO-DPMNE-ja kërkon që të mos i bëhet presion gjykatës që mbron aktin më të lartë juridik në vend. Në programin e tyre zgjedhor potencohet konkretisht abrogimi i balancuesit si mekaniziëm i vetëm sipas tyre për të arritur deri tek meritokracia dhe vlerësimi i kualiteteve individuale.

Ditë më parë Gjykata Kushtetuese vendosi të nisë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së balancuesit mbi iniciativën e ish formati të Komisionit për parandalimin e korrupsionit. Në arsyetim janë përmendur mbipopullimi i institucioneve dhe administratës, përfshi edhe deklarimin e rrejshëm të përkatësisë etnike. / Alsat.mk