Prokuroria Publike e Manastirit ka lëshuar një Urdhër për fillimin e procedurës hetimore kundër një personi, për të cilin ekziston dyshim i bazuar se ka kryer një vepër penale – Grabitje sipas nenit 237, paragrafi 4, në lidhje me nenin 1, kryer në përpjekje sipas nenit 19, si dhe – Prodhim, mbajtje, trafikim dhe tregti të armëve ose substancave shpërthyese sipas nenit 396, paragrafi 1 të Kodit Penal.

I dyshuari, një 72-vjeçar, më 15 janar, ka hyrë i maskuar në një zyrë kreditimi në rrugën “Prilepska” në Manastir dhe me përdorim force ka tentuar të marrë para me qëllim t’i posedojë në mënyrë të paligjshme. Me një çekiç në dorën e majtë dhe një armë zjarri – pistoletë në dorën e djathtë, ai e ka kanosur punonjësin dhe i ka kërkuar asaj që të vendosë paratë në një çantë që i ka dhënë. Ajo ka refuzuar, pas çka ai e ka goditur disa herë me çekiçin në duar dhe trup. Viktima ka arritur të arratiset jashtë objektit, pas çka edhe i dyshuari ka lënë vendin e ngjarjes.

Tentativën për grabitje ai e ka kryer me një pistoletë markë “Crvena Zastava”, të cilën e mbante pa autorizim.

Gjatë bastisjes në shtëpinë ku ai ka jetuar, është gjetur arma dhe tetë fishekë.

Prokurori ka dërguar një kërkesë te gjykatësi i procedurës paraprake për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.