Zjarri që ka rënë mëngjesin e djeshëm në një objekt banesor në Çair është ende aktiv, njofton QMK. Lufta e zjarrfikësve për shuarjen e zjarrit në dhomat e bodrumit ka zgjatur gjatë gjithë natës. Në ndihmë është thirrur edhe një automjet special zjarrfikës i Ushtrisë.
Shuarja e zjarrit ka qenë e vështirë për shkak të sasisë së madhe të tymit dhe temperaturës së lartë në bodrumet ku ruhej një sasi e madhe materialesh të ndezshme. Shtretër, kova, pjata plastike, gota, lodra, tenxhere, të gjitha vetëm një pjesë e sendeve që ndodheshin në magazinë e përfshirë nga flakët.
Plastika e djegur shkaktoi temperatura shumë të larta që dëmtuan rëndë konstruksionin e betonit të godinës, çka do të thotë se është prishur edhe statika e të gjithë objektit.
Gjithsej 43 persona janë shtruar në spital pas zjarrit në një godinë në Çair që shpërtheu mëngjesin e djeshëm. Në Klinikën e Toksikologjisë janë pranuar 31 pacientë, pesë prej të cilëve janë mbajtur për trajtim spitalor. Në Klinikën e Fëmijëve janë pranuar 12 fëmijë, dy prej të cilëve janë mbajtur për trajtim. Të gjithë pacientët janë në gjendje stabile.