Çmimet e produkteve ushqimore janë një barrë e madhe për buxhetin familjar të qytetarëve. Në dy vitet e fundit janë rritur disa herë dhe nuk janë rikthyer kurrë në nivelin fillestar përpara valës së inflacionit. Pas gjithë rregullimeve të çmimeve, qytetarët u përballën me ngrirjen e çmimeve të frutave dhe perimeve, produkteve të qumështit, mishit dhe pastave. Masat e vendosura nga Qeveria për një periudhë të caktuar nuk ndihmuan dhe as të ashtuquajturat çmimet e garantuara, thonë qytetarët.
“Për ushqimin ndonjëherë shpenzojmë më shumë, por pensionet dhe pagat janë të ulëta. Ata pensionistë që marrin minimalen nuk iu arrin, kur të llogarisësh barnat, rrymën, ujin, fatura e detyrime tjera ndaj shtetit, nuk është lirë”, tha një qytetare.
“Janë të larta. Shumë? Po! Çfarë do të thotë kjo për buxhetin familjarë? Vështirë që mund të ja del dikush. Sa shpenzoni për një muaj vetëm për ushqim dhe pije? Po ne jemi dy persona dhe shkojnë 1 mijë euro”, u shpreh një qytetare.
“Vështirë, por duhet të jetojmë! Ju personalisht në familje a mundoheni të kultivoni diçka vet, si produkte bujqësore? Diçka prodhojmë vetë, diçka blejmë patjetër të bëhemi idare. Ndonjë porosi për pushtetarët? Qofshin shëndosh e mirë dhe të mendojnë më shumë për popullin”, deklaroi një qytetare.
Për ekspertët, me uljen e inflacionit dhe stabilizimin energjensave dhe lëndëve të para në bursat ndërkombëtare, duhet të ketë ulje edhe më drastike te produktet ushqimore të përpunuara. Profesori universitar Nasir Selimi tha se tregtarët dhe furnitorët po shfrytëzojnë periudhën e mos zbatimit të Ligjit për tregti jo korrekte për të përfituar nga çmimet e larta për 35-40%, deri nga mesi i shtatorit.
“Çështja e manipulimeve gjithmonë ka ekzistuar dhe sërish do të ekzistoj. Sa i përket ligjit, i cili duhet pritet që të filloj zbatimin shpresojmë se ndoshta diçka do të mund të ndërpritet ky trend, por tregtarët gjithmonë gjejnë hapësirë dhe vend për të manipuluar dhe për përfitimet e tyre”, deklaroi Nasir Selimi, Profesor universitar.
Për të parë se sa ushqime janë bërë realisht më të shtrenjta, krahasuam çmimet aktuale të 200 produkteve në një treg në vend me çmimet e dhjetorit 2022, të cilat përmbajnë produktet e shportës minimale dhe rritja e tyre evidentohet tek fruta perimet, qumështi dhe produktet e qumështit, mishi dhe produktet e mishit, vezët, produktet ushqimore bazë si kripë, erëza, sheqer, vaj gatimi, salca, konserva, makarona, drithërat, pastaj ëmbëlsirat dhe produkte të kripura, si dhe pije joalkoolike (lëng dhe ujë). /Alsat.mk